Kampioni olimpik në sprint, Usain Bolt, bëri të martën stërvitjen e tij të parë me skuadrën australiane të futbollit, Central Coast Mariners, dhe ka thënë se është i gatshëm të demantojë të gjithë dyshuesit duke siguruar një kontratë profesioniste në futboll.
I monitoruar nga një numër i madh i mediave, Bolt, që ka mbushur 32 vjet të martën, doli në stadiumin e Central Coast me bashkëlojtarët e tij, ndërsa pati një buzëqeshje të madhe në fytyrë derisa po godiste topin në klubin në qytetin e vogël Gosford, shkruan sot Koha Ditore.
Kampionit të tetëfishtë olimpik dhe rekordmenit i është ofruar prova te Central Coast Mariners, skuadër që stinorin e kaluar përfundoi në vend të fundit në elitën australiane në futboll, A League.
Ka shumë dyshime nëse njeriu më i shpejtë në botë mund të kthehet në një top futbollist dhe ka pasur pak shenja për të sugjeruar gjatë stërvitjes të së martës që Bolt do të arrijë transicionin.