Sulmuesi i KF 2 Korrikut U-19, Ardit Tahiri, i cili së fundi shpërtheu edhe me Kosovën U-19 në turneun “Roma Caput Mundi”, me shumë gjasë karrierën do ta vazhdojë jashtë vendit.
Për katër ditë me radhë, ai ishte në prova tek ekipi i cili këtë vit po e synon ngritjen në Bundesligën e parë austriake SV Lafnitz, transmeton Klan Kosova.
Paraqitja në stërvitjet e klubit austriak ka marrë nota pozitive; ndërsa gjatë ditëve në vazhdim pritet të vendoset për të ardhmen e lojtarit.
Në turneun e fundit ku ishte i grumbulluar me përfaqësuesen e Kosovës, Ardit Tahiri arriti të shënojë tre gola dhe të dhurojë një asistim duke qenë vendimtar në suksesin e Dardanëve që morën vendin e parë.
Numri 18 i 2 Korrikut kishte kthyer vëmendjen nga vetja me paraqitjet e tij në super ligën e juniorëve (16 paraqitje, 18 gola) të cilat i dhanë mundësinë e pjesëmarrjes në Kosova Scouting Camp.
Paraqitja e tij në kampin treditorë që u mbajt në Pejë, e ka bindur kompaninë Kosova Scouting Team që të përkujdeset që karriera e Arditit të vazhdoj në Europë.
Shumë shpejtë Kosova Scouting Team, kompania e cila udhëhiqet nga Shpetim Shala dhe Kron Sadiku, do t’i publikojë edhe emrat e dy futbollistëve të tjerë të cilët ishin pjesë e kampit; ndërsa pritet që të provohen në liga serioze europiane.