Universitetet si institucione më të larta të arsimit jo vetëm tash por edhe më parë ishin cak i interesave politike. Mbaj mend zhvillimet prej viti 1983, atëherë kur fillova studimet në FSHMN, dega e Fizikës. Pavarësisht rrethanave politike, struktura udhëheqëse e Universitetit ishte pothuajse sikur kjo e sodit. Ishte rektori me prorektorët, kuvendi dhe pleqësia, ndërsa tash janë rektori me prorektorët, senati dhe bordi.
Detyrat e pleqësisë ishin të diskutonte dhe merrte vendime të rëndësishme për universitetin, ose siç thotë populli të pleqëronte punët e Universitetin.
Anëtarë të pleqësisë ishin stafi akademik me përvojë dhe vlera shkencore e mësimore. Ata ishin ndër më të respektuarit. Mund të ketë pasur raste kur ndonjë herë të kishte edhe emra jo domethënës për jetën akademike, mirëpo në parim tentohej të gjenden më të mirët.
Me kalimin e kohës kjo ide filloi të degradohej, e sidomos në vitet e fundit. Viteve të fundit termi pleqësi u zëvendësua me termin bord. Detyrat dhe obligimet e bordit janë po thuajse të njëjta me ato të pleqësisë: Të menaxhojë me universitetin.
Por, a janë të tilla? Nëse analizojmë bordet në të gjitha Universitet publike të Kosovës, na jep për të kuptuar se, pothuaj se, në të gjitha rastet pjesa e deleguar nga MASHT është kryekëput politike.
Pra, kriteri i vetëm “akademik” është të jesh i anëtar i një partie politike ose i dëgjuar i ndonjë klani. Nëse shesh CV e disa prej anëtarëve të bordeve e kupton këtë. Pasi viteve të fundit, MASHT udhëhiqej nga një parti politike e cila ishte e varfër me anëtarë, e sidomos me ata nga jeta akademike, si pasojë e saj u bënë gabime të pafalshme në këtë drejtim.
Për shembull, në Universitetin ”Kadri Zeka” në Gjilan, muajin e fundit u ndërrua një bord me një bord tjetër. Nëse analizon peshën e tyre akademike, të bordit paraprak dhe këtij të fundit, është për keqardhje. Ministri, ose dikush tjetër ka mundur të marrë vendime të tilla të pamatura, mirëpo pasojat do të jenë të mëdha. Jam i bindur se edhe në Universitet tjera është vepruar pothuajse njësoj. Nuk besoj se ka ndonjë rast në regjion, e mos të flasim për Evropë ku anëtar bordi të Universitetit janë njerëz me pak dije akademike sikurse tek ne. Ku na çon kjo? Koha do ta tregon. Por, a mjaftohemi vetëm me kaq, unë mendoj se jo. Intelektualët duhet të reagojnë vazhdimisht, sepse zhvillimi i Universiteteve është interes i përgjithshëm i yni. Duhet ta aktualizojmë në vazhdimësi këtë, biles në atë shkallë sa që ministri i ardhshëm punën e parë që duhet ta bëjë në ditën e parë të detyrës së tij të shkarkojë këto borde. Për të tjerët nuk e di, mirëpo për Gjilanin e di, se qyteti i Sadullah Brestovcit e Xhavit Ahmetit ka kapacitet të tjera akademike.
Detyrë tjetër që duhet të bëjë ministri në ardhje është të harmonizoj statutet e Universiteteve në Kosovë. A ka logjikë që në Universitetin e Prishtinës të mos ketë mundësi të merr thirrje akademike, ndërsa në një X Universitet tjetër po.
Si rezultat i kësaj qasje asimetrike Universiteti i Prishtinës pat marrë masa mbrojtëse duke mos njohur thirrjet akademike në Universitet tjetra. Thirrjet e njëjta, pagesat e njëjta, kriteret jo të njëjta.
Nëse shteti nuk ndërhyn kjo gjendje do të bllokojë dhe deformojë kriteret akademike të shtetit të Kosovës.
Pasojë e kësaj gjendje është jo mobiliteti akademikë në mes Universiteteve të Kosovës. Të gjitha këto vështirësi dhe plotë derivate të tyre duhet të tejkalohen me një ligj të ri të arsimit të lartë.
Të shohim dhe presim si do të veprojnë qeveria e re. Uroj që të marrë hapa radikalë në përmirësim të gjendjes. Mirë u pafshim me qeverinë e re.