Bordi i Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) mbajti mbledhjen e radhës ku diskutoi dhe mori vendime të rëndësishme për procesin e privatizimit dhe të likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore në përputhje me mandatin e vet ligjor.
Bordi miratoi Rregulloren për Rregullat e Përgjithshme të Tenderit dhe Procedurave të Shitjes me Tender Publik.
Po ashtu, Bordi ratifikoi vendimin emergjent të Bordit të datës 15 shkurt të këtij viti për konstituimin e Bordit të përkohshëm menaxhues të ndërmarrjes “Agrokosova Holding”, njofton AKP në një njoftim shtypi.
Gjatë kësaj mbledhje menaxhmenti i AKP-së raportoi para Bordit për aktivitetet e fundit të AKP-së, si dhe raportoi për pasqyrat financiare të buxhetit vjetor të Agjencisë për vitin kalendarik 2021 dhe pasqyrat financiare të fondeve në mirëbesim të Agjencisë për vitin kalendarik 2021.
Bordi miratoi listat përfundimtare të punëtorëve për 20 % e të ardhurave nga shitja, transferimi ose likuidimi për ndërmarrjet shoqërore në vijim: NSh “Fapol”, në Podujevë, NSh “Apiko”, në Deçan, NSh “Ekonomia e Pyjeve”, në Prishtinë, pastaj për ndërmarrjen NSh KB “Pirana”, në Prizren dhe për ndërmarrjen shoqërore “Stacioni i Veterinës”, në Rahovec.
Bordi poashtu miratoi shpërndarjen e pjesës 20 % të të ardhurave nga shitja, transferimi ose likuidimi për listat përfundimtare të punëtorëve (që kanë punëtorë të miratuar) për ndërmarrjet: NSh “Fapol” në Podujevë, NSh “Apiko”, në Deçan, NSh “Ekonomia e Pyjeve”, në Prishtinë, për ndërmarrjen NSh KB “Pirana”, në Prizren dhe për ndërmarrjen shoqërore “Stacioni i Veterinës”, në Rahovec. Bordi e autorizoi menaxhmentin që sipas procedurave ligjore në fuqi të bëjë shpërndarjen e mjeteve nga 20 % për këto ndërmarrje.
Bordi shqyrtoi çmimet e ofruara përmes ofertimit nga qiradhënia e aseteve (likuidim) përmes rishpalljes publike, ku për 33 asete aprovoi qiradhëniet duke vlerësuar se janë arritur rezultate më të mira përsa i përket çmimeve të ofruara krahasuar me shpalljen e mëparshme si rezultat i një marketingu më të zgjeruar të ndërmarrë nga Agjencia. Ndërkaq u refuzuan ofertat e pranuara për 15 asete, për shkak të ofertave me çmime të ulëta, të cilat do të ritenderohen në të ardhmen njëjtë sikur edhe 20 asete për të cilat nuk pati oferta.
Bordi aprovoi raportet e shpërndarjeve të pjesshme për kreditorët e ndërmarrjeve shoqërore: NSh IAC “Bujqësia”, Pejë; NSh N.Sh.T Autoshtëpia “Mustafë Rexhepi”, Ferizaj; NSh NHTT “Pashtriku”, Gjakovë; NSh Ratko Mitroviç-Kulla”, Prishtinë, për NSh KB “Fryti”, Lipjan dhe për ndërmarrjen shoqërore “Fapoli”, në Podujevë.
Në këtë Bordi u njoftua edhe për propozimin e raportit përfundimtar (i mbylljes) për ndërmarrjen shoqërore “Kluz”, në Prishtinë.