Organizata që merret me ruajtjen trashgiminë kulturore “Europa Nostra” ka lëshuar një deklaratë publike të bordit të saj lidhur me futjen e Manastirit të Deçanit në listën “7 vendet më të rrezikuara” në Evropë.
Ky bord ka deklaruar se përshkak të disa informatave të gabuara të shpërndara në rrjete sociale lidhur me përfshirjen në këtë listë të Manastirit të Deçanit, ata kanë vendosur që të dalin me sqarime shtesë lidhur me procedurat e nominimit dhe vendimit për futjen në atë listë të Manastirit të Deçanit.
Në deklaratën e këtij bordi thuhet se sa më shpejt që është e mundur një task-forcë ekspertësh do të vizitojnë Manastirin e Deçanit për të hartuar një raport të detajuar dhe kjo vizitë pritet të ndodhë pas verës.
Para vizitës, kjo organizatë ka njoftuar se do të zhvillohen takime online me të gjitha palët.
Në këtë deklaratë, Bordi i “Europa Nostra”, ka falenderuar përfaqësuesit e autoriteteve publike dhe shoqërisë civile të Kosovës për dedikimin e tyre për mbrojtjen e trashëgimisë multi-kulturore në Kosovë dhe për gatishmërinë e tyre për tu takuar me përfaqësuesit e Europa Nostra-s për diskutime.