Bordi shkarkon kryeshefin e “Hidrodrinit”: Nuk u bëra servil, tentuan të ndërhynin në konkurse për të punësuar familjarë

Prishtinë | 02 Gus 2024 | 08:51 | Nga Ekonomia Online

Bordi i Drejtorëve të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Hidrodrini” ka shkarkuar Kryeshefin Ekzekutiv te kësaj ndërmarrje Dri Cenën, para dy ditësh.

Në vendimin e Bordit thuhet se Cenës i ishte zgjatur kontrata e punës me qëllim që të reflektojë dhe përmirësojë sjelljen e tij udhëheqëse, duke u theksuar mungesën e përvojës së tij në udhëheqje të ndërmarrjeve publike. Mirëpo pavarësisht kësaj, thuhet se Cena nuk ka treguar as vullnet e as përpjekje për përmirësim.

“Pas vlerësimit negative të performancës që BD i bën KE për punën provuese 6 mujore në dhjetor të vitit 2024, atij i zgjatet kontrata e punës me qëllim të reflektojë dhe të përmirësojë sjelljen e tij udhëheqëse. Bordi këtë vendim e arsyetoi se KE ka mungesë përvoje në udhëheqje të ndërmarrjeve publike. Megjithatë, përgjatë 6 muajve të vitit 2024, ai nuk ka treguar vullnet, përpjekje e as shenja për përmirësim. Pozita financiare e ndërmarrjes është pavolitshme për shkak të rritjes së shpenzimeve dhe dështimit në rritjen e inkasimit sipas planifikimit në plan të biznesit”, thuhet në vendim.

Në vendim thuhet edhe se raportimet e pasakta e kanë vënë bordin në lajthitje për të marrë vendime që kërcënojnë qëndrueshmërinë financiare për këtë vit.

“Bordi ka humbur besueshmërinë për shkak të parregullsive të vazhdueshme në kontabilitet, në raportimin e të dhënave zyrtare dhe në analiza të ndryshme, që konstatohen edhe me raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe me raportin e auditimit nga ana e ARRU. Raportimet e pasakta kanë vënë bordin në lajthitje për të marrë vendime që kërcënojnë seriozisht qëndrueshmërinë financiare në vitin fiscal 2024”, thuhet në vendim.

Pas këtij vendimi, Cena ka bërë një reagim. Ai ka thënë se është shkarkuar pasi nuk ka pranuar ‘t’i bëhet servil” bordit.

Ai ka thënë se bordi nuk ka qenë aspak bashkëpunues.

“Sjelljet e Bordit të Drejtorëve, të cilët i kisha gjetur në detyrë, nga dita ime e parë kanë lënë shumë për të dëshiruar, duke qenë shpeshherë edhe vështirë të tejkalueshme, pasi që të njejtit nuk kanë qenë aspak bashkëpunues. Përkundrazi kanë krijuar shumë situata në dëm të Kompanisë. Arsyeja për shkarkimin tim nga pozita e KE-së të KRU ”HIDRODRINI” SHA nga Bordi i Drejtorëve i përbërë nga Jusuf Nikçi, Mevlyde Begolli, Simon Balaj dhe Driton Sylqa është se unë Dri Cena nuk kam pranuar t’ju bëhem servil, sikurse disa persona tjerë në kompani”, thuhet në reagimin e tij.

Disa prej arsyeve për shkarkimin e tij, ai i ka quajtur qesharake.

“Akuzat e Bordit mbi humbjet e ujit, janë të pabaza dhe qesharake. Mungesa e ujit sot është problem global dhe KE nuk e ka shkopin magjik që brenda këtyre 14 muajve ti zvogëloj këto humbje, pasur parasysh këtu edhe vjetërsinë e rrjetit si dhe problemet tjera në terren. Në këto pika, fatkeqësisht, Bordi ka qenë aq jo profesional sa që ka qenë e pamundur që si problemet ashtu edhe sukseset ti kuptojnë dhe ti ndjejnë për ti zgjidhur. Kam pasur shembull dëshpërues, derisa pas instalimit të ujematësve me lexim nga distanca nëpër burime, njëri nga anëtarët e Bordit tha “eh tash po i zvogëlojshim humbjet nga zyra.”, thuhet në reagimin e tij.

Ai ka akuzuar Bordin se ka pasur tendencë të vazhdueshme për ndërhyrje në secalin konkurs për të punësuar familjar dhe të afërm dhe për favorizime.

“Problem 14 mujor i imi me këtë Bord ka qenë poashtu, tendenca për ndërhyrje të vazhdueshme në secilin konkurs, për të punësuar familjar dhe të afërm. Kanë favorizuar njerëz të caktuar në kompani duke kërkuar nga unë që ti caktoj në pozita të caktuara. Kanë kërkuar që të ndërhyjnë në komisione diciplinore për persona që i kanë favorizuar. Përmes punëtorëve të caktuar kanë ndikuar që të bojkotojnë punën me efekt që të paraqitemi keq si kompani, në secilën performancë. Krejt këto, më kanë ndodhur paralelisht në periudha sfiduese, kur kompania përballej qoftë me vërshime stinore, qoftë me thatësira verore dhe rënie të nivelit nëpër burime”, thuhet në reagim.

Sipas Cenës, në Bord ka njerëz me të kaluar “shumë të dyshimtë” në anën profesionale dhe morale, derisa i ka akuzuar për zhvatje.

“Duke ndjerë keqardhje për kompaninë, theksoj se ky Bord ka njerëz me të kaluar shumë të dyshimtë në anën profesionale dhe morale, njerëz të cilët kanë zhvatur edhe buxhetin e shtetit edhe në Kompani, me dreka e darka pas seciles mbledhje. Vetem në vitin 2023 janë mbajtur 16 mbledhje të BD, vetëm që të merren meditje shtesë”.

Ai ka thënë se bordi e ka shkarkuar tinëzisht, duke ia dërguar vendimin në email.

“Ku qëndron fytyra dhe burrëria juaj, për të më dalur përpara dhe për të më komunikuar këtë shkarkim. Vepruat si gjithmonë në mënyrë tinzare, duke ikur nga salla dhe duke më dërguar me email vendimin për shkarkim”, përfundon reagimi.

Të ngjashme