Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, ka thënë se në takimin në Bruksel në mes Kryministrit Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq është bërë hap i rëndësishëm simbolik për themelimin e Asociacionit.
“Palët kanë ndërmarrë një hap të rëndësishëm simbolik për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Ishin dakorduar për këtë 10 vite më parë”, ka thënë Borrell. “U prezantua një draft, drafti i parë dhe jo një final. Është një pikë fillimi…”.
Borrell ka thënë se siç pritej, pikëpamjet e palëve ishin të kundërta, gjë e cila sipas Borrell pritej.
Në fjalën e tij për media, Borrell u ka bërë thirrje të dyja palëve që të jenë të gatshme për të bërë kompromis.
“I bëjë thirrje të dyja palëve të angazhohen në këtë proces në mënyrë konstruktive dhe në besim të mirë, dhe të jenë të gatshëm për kompromis. Procesi duhet të drejtohet nga marrëveshjet e kaluara në dialog, e të inspirohet nga praktikat e mira e modele të mira në Evropë, prej të cilave kemi shumë”, ka deklaruar ai.
Edhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq është deklaruar në një fjalë për media pak takimit me Kurtin.
Ai ka thënë se është e qartë që Kosova nuk do të përmbush obligimin e saj ndaj formimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, transmeton RTS.
“Unë do të thoja se jam shumë i shqetësuar, sepse për çështjen kyçe, formimin e Asociacionit është e qartë se Prishtina nuk dëshiron ta përmbushë obligimin. Është e qartë për mua, ne kemi arritur në mur. Ishte e qartë që nga momenti kur u prezantua drafti i statujës”, tha Vuçiq, transmeton TV Dukagjini.
Krahas kësaj, i njëjti ka deklaruar se BE-ja doli me propozim, por pala kosovare refuzoi.
Njëherit, BE-ja ka publikuar dokumentin e plotë të deklaratës për të Zhdukurit gjatë luftës së fundit në Kosovë që është nënshkruar në takimin në Bruksel në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Në deklaratën e BE-së thuhet se puna do të mbikëqyret nga një Komisioni i Përbashkët që do të kryesohet nga BE-ja dhe do të mbikëqyret nga Kryqi i Kuq.
Po ashtu është kërkuar qasje e plotë në të gjithë dokumentet, incizimet dhe vende të tjera ku mund të ketë informacione për ta bërë sa më të lehtë gjetjen e të zhdukuruve nga periudha 1 janar 1998 deri më 31 dhjetor 2000.