Borrell: Hapi tjetër, të bëhet gjithçka për zgjedhjet e reja në veri, shtetet anëtare do të marrin masa nëse nevojitet

Prishtinë | 26 Qer 2023 | 17:04 | Nga Ekonomia Online

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Euruopian, Josep Borrell tha se kishte një diskutim të gjatë për çështjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ministrat e jashtëm të Bashkimit Europian.

Borrell tha se ministrat e Jashtëm kërkojnë të gjendet një zgjidhje për krizën në veri dhe tha se pasi Serbia i liroi tre policët e Kosovës, hapi i radhës është të bëhet gjithçka për t’i mbajtur zgjedhjet e reja.

Ai tha se “shtetet anëtare do të marrin masa nëse është e nevojshme”, raporton Gazeta Express.

“Shtetet anëtare mbeten të gatshme të marrin masat nëse nuk shihet përparim”, theksoi Borrell.

“Ne ramë dakord që zgjedhjet duhet të mbahen”, tha ndër tjerash Borrell pas diskutimit me ministrat e jashtëm të BE-së, dhe përmendi se në to duhet të marrin pjesë edhe serbët.

“Zgjidhja tjetër mund të vijë vetëm nga zgjedhjet e reja. Dhe kjo është ajo që duhet të bëjnë të dyja palët”, tha ai.

Borrell tha se shtetet anëtare i kanë nënvizuar “shqetësimet e forta” për tensionet e vazhdueshme në veri.

“Shtetet anëtare, dua ta theksoj, shtetet anëtare nënvizojnë shqetësimet e forta për tensionet e vazhdueshme në veri të Kosovës”, tha kryediplomati eurpian, duke transmetuar kërkesën e tyre për shtensionimin e situatës.

Borrell ka raportuar para kryediplomatëve të shteteve të Unionit për zhvillimet e fundit në çështjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pas takimeve që i pati me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq para një jave.

Të ngjashme