Anëtarët e Bashkimit Evropian duhet të arrijnë marrëveshje për çështjen e paketës së ardhshme të sanksioneve ndaj Rusisë, ka thënë të hënën shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell për “France Info”.
Një prej pikave kryesore të kësaj pakete, është zotimi i shteteve anëtare për të mos blerë naftë nga Rusia.
“Duhet të marrim një vendim publik. Ka pasur bisedime të dielën pasdite dhe do të ketë sot në mëngjes, si dhe gjatë gjithë ditës”, tha Borrell.
Ai beson se të hënën pasdite do t’u ofrohet një marrëveshje krerëve të vendeve anëtare të BE-së, raportoi Reuters.
I pyetur nëse planet për të ndaluar importin e naftës ruse mund të dështojnë për shkak të rezistencës së Hungarisë dhe vendeve të tjera të Evropës Lindore, Borrell tha se ai “nuk mendon se do të jetë kështu” dhe se “në fund do të ketë një marrëveshje”.