Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë dhe nënkryetari i Komisionit Evropian, Josep Borrell Fontelles për Telegrafin ka thënë se Kosova duhet të jetë pjesë e përpjekjeve për energjinë e gjelbër.
Borell duke folur për ndryshimet klimatike, ka thënë se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë një rëndësi të veçantë për transformimin e masave kundër degradimit të ambientit.
“Marrëveshja e Gjelbër Evropiane është vizion dhe pako e masave transformuese për të ndikuar në ndryshimin e klimës dhe degradimin ambiental. Ambicia është e paprecedent. Marrëveshja përkushtohet që ta bëjë BE-në një vend neutral të karbonit deri në vitin 2050 dhe prezanton një tranzicion të qëndrueshëm nga i cili përfitojnë qytetarët evropianë dhe bizneset. Zbatimi i Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane dhe ndikimi botëror kërkojnë reagimin tonë kolektiv. Shtetet e Ballkanit Perëndimor e luajnë një rol të rëndësishëm në këtë. E ardhmja e tyre shtrihet brenda Bashkimit Evropian dhe ne duhet të punojmë së bashku nëse dëshirojmë ta bëjmë Evropën kontinentin e parë me klimë neutrale dhe për ta përmirësuar kualitetin e jetës së qytetarëve tonë”, ka thënë ai.
Ai ka treguar se me renovimin termocentralit “Kosova B”, qytetarëve të Kosovës do t’ju përmirësohet shëndeti dhe mirëqenia.
“Problemi i ndotjes së ajrit është shumë evident këto ditë, pasi që qytete të shumta në Ballkanin Perëndimor renditen në mesin e kryeqyteteve me ajrin më të ndotur në botë. Partnerët tanë dhe njerëzit e tyre mund të llogarisin në mbështetjen e Bashkimit Evropian për të reaguar me efikasitet. Gjatë vizitës sime, unë do ta kem nderin që t’i inauguroj punët e financuara nga BE-ja për rinovimin e ‘Kosova B’, të cilat do të ndikojnë dukshëm në zvogëlimin e emetimeve, do të kontribuojnë në furnizim më të pastër të energjisë dhe do ta përmirësojnë shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve. Kosova është Evropë dhe duhet të jetë pjesë e kësaj përpjekje të përbashkët. Ne shpresojmë dhe presim se vendosmëria jonë do të përputhet me atë të politikbërësve të Kosovës”, shtoi ai.
Po ashtu, Borell në intervistë ka folur edhe për pritjet e tij për dialogun, marrëveshjen finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe liberalizimin e vizave.