Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka përshëndetur miratimin e Deklaratës për të Zhdukurit nga lufta e fundit në Kosovë, që arrit në takimin që patën sot në Bruksel kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Borrell ka thënë se pret përparim të prekshëm në mbylljen e rasteve të pazgjidhura të personave të zhdukur.
“Zgjidhja e çështjes së personave të zhdukur nuk është vetëm një detyrim humanitar. Ajo është gjithashtu një mundësi thelbësore për pajtimin dhe besimin mes njerëzve. Është bërë urgjente të sigurohet që procesi i identifikimit të vendeve të varrimit të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur. Kujtimet po zbehen dhe individët, vendet dhe ngjarjet janë më të vështira për t’u hetuar”, theksohet në deklaratën e Borellit.
“Kjo është arsyeja pse BE-ja mirëpret miratimin e deklaratës nga palët dhe pret që palët të bëjnë përparim të prekshëm në mbylljen e rasteve të pazgjidhura të Personave të Zhdukur dhe në përmbushjen e detyrimeve të tyre përkatëse ndaj familjeve. Komiteti i Përbashkët i Monitorimit i kryesuar nga BE-ja që mbikëqyr zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe Aneksit të Zbatimit të saj do të shqyrtojë rregullisht progresin e arritur”, thuhet tutje në deklaratë