Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka thënë të martën se zgjidhja e problemeve në Ballkan është një përgjegjësi e Bashkimit Evropian, dhe se nga kjo varet edhe roli global i BE-së.
“Nëse nuk mund të zgjidhim problemet në Ballkan atëherë si mund të jemi aktor i rëndësishëm global”, ka thënë Borell.
Ai i bëri komentet në një debat kushtuar dhjetë vjetorit të krijimit të Shërbimit të Veprimit të Jashtëm të BE-së, një lloj shërbimi i përbashkët diplomatik evropian, ku morën pjesë edhe dy paraardhës të tij, Javier Solana dhe Federika Mogherini.
Borrell foli për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe përsëriti se ky problem duhet të zgjidhet në kuadër të perspektivës evropiane. Në anën tjetër, ai mirëpriti edhe gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara për të ndihmuar në këtë proces.
“Na vjen mirë që SHBA-të duan të ndihmojnë, por është BE-ja ajo që udhëheq këtë proces. Vetëm BE mund të paraqes ofertën e rëndësishme për njerëzit atje dhe ajo është perspektiva evropiane. Në kuadër të kësaj perspektive duhet të zgjidhet problemi”, ka thënë Borell.
Ai edhe një herë ka shprehur kënaqësinë për rifillimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që në fillim të mandatit të tij.
Javier Solana, ish-sekretar i përgjithshëm i NATO-s dhe përfaqësuesi i parë i lartë i BE-së prej kur është krijuar ky post, ka thënë se problemi mes Kosovës dhe Serbisë duhet të zgjidhet përmes dialogut, por edhe duke i ofruar një rrugë më të shpejtë Serbisë drejt BE-së. Këtë Solana e ka lidhur edhe me ndikimin e Rusisë në rajon e sidomos në Serbi/REL.