Shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrell njoftoi sot në Podgoricë nisjen e një mekanizmi të reagimit të shpejtë ndaj kërcënimeve me qëllim forcimin e rezistencës së Ballkanit Perëndimor ndaj sulmeve kibernetike.
Borrell, në konferencën për media, të mbajtur pas mbledhjes së Këshillit të Stabilizim-Asociimit ndërmjet BE-së dhe Malit të Zi, tha se bëhet fjalë për një mekanizëm prej pesë milionë eurosh, i cili është i destinuar për Ballkanin Perëndimor.
Ai tha se këto mjete duhet të rrisin qëndrueshmërinë e vendeve të Ballkanit Perëndimor në përballjen me sulmet kibernetike, manipulimin e informacionit dhe të ngjashme.
Kjo, tha Borrell, është shumë e rëndësishme në kohën kur bota po përballet me këto sfida të sigurisë.