Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka bërë thirrje për armëpushtim të gjatë midis Izraelit dhe Hamasit, raportoi të hënën CNN-i.
“Armëpushimi fillestar katërditor ishte një hap i parë i rëndësishëm drejt një zgjidhjeje politike”, ka thënë kryediplomati i BE-së në Forumin e 8 Rajonal të Bashkimit për Mesdheun në Barcelonë, Spanjë.
Ai ka shtuar se të martën përfundon pezullimi i operacioneve, ndërsa duhet të mendohet se si të vazhdojë procesi politik.
“Nesër përfundon pezullimi i operacioneve. Ndoshta do të zgjasë edhe disa ditë. Por ne duhet të fillojmë të mendojmë se si do të vazhdojmë procesin politik nga sot”, është shprehur ai.
Spanjolli dënoi sulmin e Hamasit ndaj Izraelit, por tha se “mënyra se si Izraeli ushtron të drejtën e tij për mbrojtje ka rëndësi”, ndërsa nënvizoi numrin shumë joproporcional të vdekjeve dhe vuajtjet e civilëve në Gaza.