Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka thënë se i mirëpret sanksionet e disa serbëve nga Kosova, e të cilat sipas Amerikës, janë pjesë e një grupi të krimit të organizuar.
Ai u shpreh se vendosja e këtyre sanksioneve ndaj disa serbëve përbëjnë hap të rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor.
“Shkatërrimi i rrjeteve kriminale transnacionale kontribuon në sigurinë, stabilitetin dhe përmirëson sundimin e ligjit në mbarë rajonin. BE-ja është plotësisht e angazhuar në arritjen e këtij synimi të përbashkët”, tha Borrell.
Gjatë ditës së djeshme, ShBA-të njoftuan që kanë futur në listën e sanksioneve këta persona: Millan Radoiçiq, Zvonko dhe Zharko Vesellinoviq, Srgjan Vulloviq, Zhelko dhe Andrija Bojiq dhe Radulle Steviq – të gjithë serbë nga Kosova.