Komisioni për Zhvillim ekonomik pas 3 dështimeve, ka filluar punwn, ku para këtij komisoni ka raportuar Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale, raporton EkonomiaOnline.
Kryetar i bordit të KPMM-së, Musa Shabani, tha se vlera e borxheve ndaj KPMM-së, është rreth 25 milionë euro, gjysma prej tyre i takon minierës së Trepçës.
“Vlera e borxheve ndaj KPMM-së janë 25.8 milionë euro 45 përqind janë të borxhit të minierës së Trepçës. Ne jemi detyruar si pasojë e ligjeve të ngrisim procedura gjyqësore ndaj shumë bizneseve për vlerën e këtij borxhi”.
Deputeti nga radhët e PSD-së, Dardan Sejdiu u interesua për operimet ilegale që kryhen në zona të ndryshme.
“Operimet ilegale në vitin 2017 ku janë identifikuar 80 raste të operimeve ilegale por dua të dijë se çfarë lloj aktivitetesh janë në këto operime ilegale. Dua të dijë nëse ka ndonjë regjion gjeografik që është i theksuar në këto operime ilegale”
Ndërsa, deputeti nga radhët e PDK-së, Memli Krasniqi, u interesua për procesin e krijimit të një zyre të vetme “One Stop Shop”.
“U përmend që ende keni plan për me themelua një ‘one stop shop’, ku është problemi që s’po e bëni kush ka faj a ka mospajtim mes institucioneve të ndryshme”.
Shabani tha se për shkak të mungesës së ligjit përkatës, pamundësohet krijimi i zyrës “One stop Shop”, ani pse ata kanë një përkrahje nga institucionet për krijimin e një zyreje të tillë.
“One Stop Shop është një zyre që është e planifikuar me ligjin e ri i cili nuk po aprovohet dhe pa u aprovua ligji ‘One Stop Shop’-i nuk bëhet. Ne kemi biseduar me institucionet por edhe me komunat, ka pajtim mes institucioneve me u bë kjo po për shkak të mungesës së ligjit kjo nuk po bëhet”.
Sa i përket operimeve ilegale, Shabani tha KPMM me legjislacionin në fuqi nuk ka mandat të lëshojë licenca për shfrytëzimin e rërës dhe zhavorit.
“Operimet ilegale janë në zonat rreth lumenjve. KPMM me legjislacionin në fuqi nuk ka mandat me lëshua licenca për shfrytëzimin e rërës dhe zhavorrit. Prizreni, Peja, Gjakova dhe Kamenica janë zonat ku më së shumti kanë operime ilegale”, tha ai.