Zvonko Veselinoviq dhe Millan Radojiçiq, të dyshuar për përfshirje në vrasjen e Oliver Ivanoviqit, pronarë të kompanisë “Inkop” në Çupri të Serbisë, janë bërë tani pronarë të kompanisë më të madhe të rrugëve në Serbi, “Novi Pazar – Put”.
Kjo kompani, e cila vetëm nga një kontratë ka përfituar mbi 60 milionë dollarë, në mesin e dhjetorit ka arritur të merrte punë në vlerën prej 1.8 milionë eurosh për ndërtimin e rrugës nga pika kufitare deri në Bajna Bashta, shkruan Zëri.Dy bosët e krimit në veri të Mitrovicës, Zvonko Veselinoviq dhe Millan Radojiçiq, nënkryetar i Listës Serbe, të cilët ndodhen në listën e personave të kërkuar si të dyshuar për përfshirje në vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq, në veri të Mitrovicës, në janarin e vitit 2018, janë të fuqishëm edhe në Serbi.
Që të dy ata gëzojnë mbështetjen e fuqishme të presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiqit, i cili madje e ka fshehur Radojiçiqin dhe nuk ka lejuar që ai t’u dorëzohej autoriteteve kosovare të drejtësisë lidhur me dyshimet për përfshirje në varjen e politikanit serb në veri. Mediet serbe, siç përcjell portali serb në veri të Mitrovicës “Kossev”, kanë zbuluar një tjetër “blerje” të madhe të dy bosëve të krimit në veri e në Serbi, kompaninë më të madhe për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve në Serbi “Novi Pazar – Put”. Në fakt, Zvonko Veselinoviq, vëllai i tij Zharko dhe Millan Radojiçiq, janë pronarë të kompanisë “Inkop” nga Çupria e Serbisë, ndërsa pikërisht “Inkop”-i është blerësi i kompanisë “Novi Pazar – Put”. Ndërrimi i pronarit të kompanisë “Novi Pazar – Put” zyrtarisht është bërë në Agjencinë e regjistrave të subjekteve ekonomike më 6 janar. Në këta regjistra “Inkop”-i nga Çupria është regjistruar si pronar i 100 për qind të kapitalit të kompanisë.
Vëllezërit Veselinoviq dhe Radojiçiq, pronarë të kompanisë së fuqishme për ndërtimin e rrugëve
Siç përcjell “Kossev”-i, para se kompania “Novi Pazar-Put” edhe zyrtarisht të bëhet me pronarë të rinj ka ardhur deri te ndryshimet në krye të kompanisë, pasi në fillim të nëntorit të vitit të kaluar drejtor ishte emëruar ish-kryeshefi i Burgut të Nishit, Aleksandër Gërboviq, i cili edhe më tutje ndodhet në krye të kompanisë. Pronarët paraprakë të kompanisë “Novi Pazar – Put” kanë qenë “Novi Put” dhe ndërmarrja “Jedinstvo”, nga Sevojna. Në mesin e dhjetorit të vitit të kaluar kompania “Novi Pazar – Put”, bashkë edhe me ndërmarrjen “Jedinstvo”, PZP “Pozharevac” dhe “Sert” nga Shabaci, si të vetmit ofertues nga shteti, kanë arritur të marrin punë për ndërtimin e rrugës nga pika kufitare deri në Bajna Bashta, në vlerë prej 1.8 milion eurosh.
Ndryshe, kompania e vëllezërve Veselinoviq dhe e Radojiçiqit është themeluar në vitin 1992, fillimisht për transport rrugor, ndërsa në vitin 2014 kanë ndryshuar veprimtarinë, tani për ndërtimin e rrugëve dhe të autorrugëve. Shpejt ishte bërë e ditur se pronari i vërtetë i “Inkop”-it nëpërmes motrës së tij ishte Zvonko Veselinoviq. Këtë kompani si nënkontraktor e kishte angazhuar ndërmarrja “Energoprojekt”, atëherë në pjesën më të madhe ndërmarrje shtetërore. Si kompani e re për ndërtim të rrugëve “Inkop”-i kishte arritur të merrte punë për ndërtimin e segmentit të korridorit 11 “Lig – Prelina”, në vlerë prej 60 milionë dollarësh, si anëtar i konzorciumit. Por vetëm në shtatorin e vitit 2018 vëllezërit Veselinoviq, Zvonko e Zharko, janë regjistruar si pronarë të “Inkop”-it, ndërsa pronar i tretë ishte bërë Millan Radojiçiq, nënkryetar i Listës Serbe, bashkëpunëtor shumëvjeçar i Zvonko Veselinoviqit.
“Inkop”-i, siç shkruajnë mediet serbe, i ka borxh shtetit të Serbisë për taksa e tatime mbi 380 mijë euro, por pagesa i është shtyrë disa herë. Me Veselinoviqin problema të mëdha ka pasur edhe tenisti i njohur serb, Novak Gjokoviq, i cili është nga Zveçani. Ai është detyruar që t’i jepte Veselinoviqit pushimoren dhe një hotel në Kopaonik, të cilën e kishte ngritur Gjokoviqi.
Afera të shumta të Zvonko Veselinoviqit dhe të Millan Radojiçiqit
Për emrin e Zvonko Veselinoviqit dhe të Millan Radojiçiqit lidhen shumë afera, në veçanti kontrabandë me naftë dhe mallra, ndërsa ndaj tyre janë zhvilluar edhe disa seanca gjyqësore. Që të dy ata në vitin 2011 janë nxjerrë para gjykatës lidhur me rrëmbimin e 32 kamionëve të “Hipo Alpe Adria Lizing”, por ata ishin liruar. Radojiçiqi e Veselinoviqi janë të përfshirë edhe në akte të tjera kriminale, kështu që në vitin 2003 Veselinoviqi ishte arrestuar me dyshim për organizimin e shitjes së tre kilogramëve heroinë, ndërsa Radojiçiqi është gjykuar për rrëmbimin një biznesmeni maqedonas.
Që të dy ata janë liruar me vendim të gjykatës. Ata janë të dyshuar edhe për përfshirje në vrasjen e politikanit serb në veri, Oliver Ivanoviq, në janarin e vitit 2018. Ndaj Millan Radojiçiqit, Zvonko Veselinoviqit dhe Zhelko Bojiqit është lëshuar urdhërarrest ndërkombëtar për faktin se ata ndodhen në arrati, derisa edhe për njërin, edhe për të tjerët theksohet se veprojnë si grup kriminal, i organizuar me strukturë grupore dhe hierarki me definimin formal të roleve, të cilët i udhëheqin të pandehurit Millan Radojiçiq dhe Zvonko Veselinoviq dhe që vepron që nga vitit 2011.
Ky grup kriminal nuk është formuar përmendsh, pasi të pandehurit veprojnë në vazhdimësi dhe bashkëpunojnë me njëri-tjetrin. “Ata aktivisht kanë marrë pjesë në veprimtaritë kriminale të grupit, duke ditur se pjesëmarrja e tillë do të kontribuojë në realizimin e veprimtarive kriminale të grupit dhe realizimin e përfitimit të drejtpërdrejtë ose të tërthortë të dobisë financiare ose të dobisë tjetër pasurore, me qëllim të shtrirjes së kontrollit të bizneseve në territorin dhe në kontrollin e politikës në pjesën veriore të Mitrovicës. Ky grup kriminal ka kryer veprat penale ‘Vrasje e rëndë’, ‘Ndihmë në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë’, ‘Keqpërdorim i detyrës zyrtare’ dhe ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm në territorin e Republikës së Kosovës’.
Po ashtu secili nga të pandehurit ka kryer veprime inkriminuese-konkrete për grupin në fjalë, me ç’rast veprimtaritë e këtij grupit kriminal të organizuar kanë rezultuar me vrasjen tani të të ndjerit Oliver Ivanoviq, ku paraprakisht nga i njëjti grup është djegur edhe vetura e tij”, thuhet mes të tjerash në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Kosovës.