Sipas raportit të Iniciativës Globale Kundër Krimit të Organizuar në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, nga aktivitet e paligjshme në veri të Kosovës buxheti i shtetit humb rreth 750 mijë euro në javë, ku zhvillohet kontrabandë me derivate, kontrabandë e materialit ndërtimor, e barnave, e cigareve etj. Sipas një kalkulimi të thjeshtë del se brenda vitit nga këto aktivitete ilegale arka e shtetit humb rreth 40 milionë euro në vit.
Rreth 750 mijë euro vlerësohet se i humb buxheti i Kosovës në javë nga aktivitetet e paligjshme në veri të Kosovës, përderisa derivatet e naftës janë mallrat që më së shumti kontrabandohen nga veriu në jug.
Pos derivateve të naftës, në atë pjesë të vendit ka edhe kontrabandë të materialit ndërtimor, të barnave, të makinave, të cigareve, të artikujve ushqimorë etj.
Kështu thuhet në raportin e publikuar para dy ditësh në Vjenë të Austrisë nga Iniciativa Globale Kundër Krimit të Organizuar në gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor (Shqipëri, Bosnjë e Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni e Veriut dhe Serbi), të cilin raport e posedon edhe gazeta “Zëri”.
Gazeta “Zëri” të martën kishte vazhdimin e parë të raportit, ku flitej mbi funksionimin e grupeve kriminale në Ballkanin Perëndimor, të cilat e kontrollojnë një korridor, që shfrytëzohet për trafikimin e qenieve njerëzore, drogës, armëve, cigareve, makinave etj.
Nëse nga aktivitet e paligjshme në veri buxheti i Kosovës humb rreth 750 mijë euro në javë, përkatësisht 400 mijë euro nga mosgrumbullimi i taksave nga kontrabanda e derivateve, 200 mijë euro nga mospagesa e taksave doganore të materialit ndërtimor dhe 150 mijë euro për mallrat tjera, sipas një kalkulimi të thjeshtë del se brenda vitit nga këto aktivitete ilegale arka e shtetit humb rreth 40 milionë euro në vit.