Pa zgjidhje ka mbetur situata e krijuar politike në vend, pasi kërkesave të presidentit për mandatar të ri nuk është duke iu përgjigjur partia fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit, Lëvizja Vetëvendosje.
E një gjë e tillë, Vetëvendosje pritet ta zvarrisë edhe për një kohë, duke u bazuar në boshllëkun kushtetues për afatin brenda së cilit duhet t’i kthejë përgjigje kreut të shtetit, raporton KOHA.
Njohës të Kushtetutës thonë se një gjë e tillë do të duhej të sqarohej nga Gjykata Kushtetuese.
Iliriana Islami, ish-gjyqtare në Kushtetuese, thotë se presidenti do të duhej t’i drejtohej edhe një herë institucionit më të lartë në vend.
Por, për profesorin e shkencave politike, Bekim Baliqi, Kushtetuesja ka gabuar vite më parë që nuk i ka sqaruar edhe afatet kohore.
Sipas Baliqit, zgjidhja e vetme është që Qeveria në detyrë të vazhdojë punën e saj deri në një kohë të përshtatshme për zgjedhje të reja.
Lidhur me mundësinë e kërkesës për sqarim nga Kushtetuesja, KOHA ka pyetur edhe në Zyrën e presidentit, mirëpo nuk ka marrë përgjigje.
Partneri qeverisës i Vetëvendosjes, LDK-ja me vetiniciativë rrëzoi qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti, derisa është në pritje që ta formojë Qeverinë e re me AAK-në, Nismën e minoritetet.