Burri që Joe Bideni dikur e çmoi si “Xhorxh Uashington i Kosovës” tani ndodhet në një qeli ndalimi në Hagë, i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
A do ta ndihmojë atë Presidenti Joe Biden, i cili ka lidhje të ngrohta me Kosovë?
Ky burrë është Hashim Thaçi, 52 vjeç, president pro-amerikan i Kosovës, i cili dha dorëheqje më 5 nëntor. Më pas, ai u dërgua në ndalim dhe me aeroplan u dërgua në Hagë, Holandë, për t’u gjykuar para një gjykate speciale të sponsoruar nga Bashkimi Evropian për veprimet gjatë një lufte të shkurtër e të keqe. Thaçi i ka mohuar të gjitha akuzat.
Dyshohet se Thaçi i ka kryer këto krime kur e ka komanduar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, kryengritje guerile që luftonte ashpër kundër Serbisë në vitet 1998-2000, e përkrahur nga Shtetet e Bashkuara. Në atë kohë, ai shihej si hero që qëndronte për liri dhe kundër tiranisë.
Armiqtë e tij, veçanërisht serbët, paralajmëruan se një Kosovë e shkëputur nga Serbia në fund do të bashkohej me Shqipërinë për të formuar një Shqipëri “më të madhe”. Kjo nuk ka ndodhur dhe mund të mos ndodhë tani që Thaçi, që e favorizonte këtë, është dëmtuar.
UÇK-ja ishte formuar pasi udhëheqësi i ndjerë serb, Sllobodan Millosheviq, u mundua që ta pastrojë etnikisht Kosovën nga shqiptarët myslimanë, duke vrarë shumë prej tyre dhe duke detyruar qindra mijëra që të ikin për ta shpëtuar jetën në Shqipërinë fqinje, Maqedoni Veriore dhe Mal të Zi.
Unë isha atje duke raportuar, kur aeroplanët e ShBA-së fluturuan duke bombarduar nga Shqipëria në Serbi. Unë isha edhe në pikëkalimet kufitare, kur mijëra gra, fëmijë dhe pleq të frikësuar ikën në Shqipëri nga serbët që po avanconin. Dukej si diçka nga Lufta e Dytë Botërore.
Tash, pas viteve të paqes, përsëri dynden drejt Shqipërisë, vetëm se kësaj radhe ata shkojnë si turistë të nisur drejt plazheve shqiptare përgjatë Detit Adriatik.
Vendimi i Millosheviqit për t’i detyruar kosovarët që të largohen nga atdheu i tyre çoi në bombardimin e Serbisë nga Bill Clinton, që përkrahej nga Bideni, dhe NATO-ja e mbizotëruar nga Shtetet e Bashkuara. Bideni, atëherë pjesë e Senatit, bashkësponsoroi një rezolutë me të cilën u autorizuan sulmet ajrore kundër Serbisë.
Bombardimi dhe kërcënimi që forcat luftuese amerikane të hynin në përleshje – helikopterët amerikanë “Blackhawk” dhe “Apache” ishin të renditur në disa lokacione në Shqipëri – e sollën Millosheviqin në gjunjë dhe bënë që Kosova të dilte si entitet i pavarur, si ish-provincat tjera jugosllave.
Millosheviqi u arrestua më 2001 dhe u akuzua për krime lufte në Bosnjë, Kroaci dhe Kosovë gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë. Ai vdiq në një qeli burgu në Hagë në vitin 2006 gjatë gjykimit të tij.
Shtetet e Bashkuara në atë kohë i vlerësonin Thaçin dhe UÇK-në si “djem të mirë” në luftën kundër Millosheviqit.
Nuk ka dyshim që barbarizmat janë kryer nga të dyja palët.
Kritikët kanë theksuar se aktakuzat janë përpjekje për ta rishkruar historinë duke e barazuar Kosovën viktimë me Serbinë agresore. Është sikur t’i fajësosh së bashku Shtetet e Bashkuara dhe Japoninë për sulmin tinëzar japonez në “Pearl Harbor”.
Thaçi, që ka qenë duke jetuar në Zvicër, u kthye në Kosovë kur luftimet shpërthyen së pari dhe përfundimisht u bë komandant i UÇK-së. Pasi luftimet përfunduan, ai u ngrit për t’u bërë kryeministri i parë i një Kosove të pavarur. Ai u zgjodh president në vitin 2016.
Bideni, i njohur për Kosovën, i forcoi lidhjet e mëhershme kur e vizitoi vendin e rrënuar nga lufta me të birin e vet, Beua Biden, më 2001, koha kur ai u takua me Thaçin për herë të parë. Bidenët shkuan në Kampin Bondsteel, bazë kryesore e Shteteve të Bashkuara si pjesë e KFOR-it, forcë paqeruajtëse e NATO-s.
Beau Biden kishte shërbyer vullnetarisht si këshilltar në sistemin e ri juridik të Kosovës, dhe Joe Biden, atëherë në Senat, e shoqëroi atë.
Bideni si nënpresident u takua përsëri me Kryeministrin Thaçi në Uashington më 2010. Kjo ishte koha kur Bideni e bëri krahasimin me Xhorxh Uashingtonin.
Pastaj më 2016, Bideni, ende nënpresident, e vizitoi Kosovën përsëri. Kësaj here për një ngjarje emocionale, për emërtimin e një rruge kombëtare që çon në Kampin Bonsteel me emrin e Beau Bidenit, që vdiq nga kanceri më 2015.
Thaçi, si president, luajti një rol kyç në riemërtimin e rrugës dhe ndërtimin e një monumenti për Beau Bidenin.
Në një deklaratë prekëse, Bidenie çmoi Thaçin për shfaqje të “guximit të madh” për ta sjellë demokracinë në Kosovë.
Tani Bideni shkon në Shtëpinë e Bardhë e Thaçi në gjykim.