Bota po “digjet” , temperatura rekorde në tokë dhe dete

Prishtinë | 03 Kor 2023 | 16:27 | Nga Ekonomia Online

Synimi që ndryshimet klimatike të mos lejohen të shkaktojnë ndryshime të temperaturës mbi 1.5 gradë Celsius në krahasim me kohën para-industriale është duke u bërë i paarritshëm, thonë ekspertë të ambientit. Ata shprehen të shqetësuar që shtetet nuk kanë arritur të vendosin caqe ambicioze për klimën, pavarësisht se janë shënuar temperatura rekorde në tokë dhe det.

Teksa përfaqësues të shumë vendeve u mblodhën në Bon të Gjermanisë në fillim të Gjermanisë për t’u përgatitur për negociatat vjetore për klimën, që do të mbahen në nëntor, temperaturat mesatare globale të ajrit ishin, për disa ditë rresht, mbi 1.5 gradë Celsius më të larta se temperaturat e kohës para-industriale, tha Shërbimi i Ndryshimeve Klimatike Copernicus (C3S) i financuar nga Bashkimi Evropian.

Megjithëse temperaturat mesatare kishin kaluar përkohësisht pragun prej 1.5 gradëve Celsius edhe në të kaluarën, kjo është hera e parë që ky ndryshim është regjistruar gjatë periudhës së verës në hemisferës veriore të Tokës. Temperaturat në dete gjithashtu thyen rekordet e prillit dhe majit.

“Neve na ka mbaruar koha sepse edhe ndryshimi kërkon kohë”, tha Sarah Perkins-Kirkpatrick, një klimatologe në Universitetin Australian të Uellsit të Ri Jugor.

Përderisa të dërguarit e dy shteteve që emetojnë më së shumti gazra serrë, SHBA-së dhe Kinës, përgatiten të takohen muajin e ardhshëm, rekordet për temperaturat më të larta gjatë muajit qershor u thyen në kryeqytetin kinez, Pekin, ndërsa valët ekstreme të të nxehtit kanë goditur Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pjesë të Amerikës së Veriut ishin rreth 10 gradë Celsius mbi mesataren sezonale në qershor dhe tymi nga zjarret e pyjeve mbuloi Kanadanë dhe bregun lindor të SHBA-së. Emetimet e karbonit vlerësohet se arritën një rekord prej 160 milionë tonë metrikë.

Në Indi, një nga rajonet më të rrezikuara nga ndryshimet klimatike, vdekjet u raportuan të jenë rritur si rezultat i temperaturave të larta. Nxehtësi ekstreme është raportuar edhe në Spanjë, Iran dhe Vietnam, duke rritur frikën se vera vdekjeprurëse e vitit të kaluar mund të kthehet në një rutinë.

Liderët e shteteve kishin rënë dakord në Paris në vitin 2015 që të përpiqen t’i mbajnë rritjet mesatare afatgjata të temperaturës brenda 1.5 gradë Celsius, por tani ka një mundësi prej 66 për qind që mesatarja vjetore të kalojë këtë prag, sipas parashikimeve të Organizatës Botërore Meteorologjike në maj.

Temperaturat mesatare globale të sipërfaqes së detit arritën në 21 gradë Celsius në fund të marsit dhe kanë mbetur në nivele rekorde gjatë gjithë prillit dhe majit. Agjencia e motit në Australi paralajmëroi se temperaturat e deteve të Paqësorit dhe Oqeanit Indian mund të jenë 3 gradë Celsius më të ngrohta se zakonisht deri në tetor.

Ngrohja globale është faktori kryesor, tha Piers Forster, profesor i fizikës klimatike në Universitetin e Leeds, por El Nino, rënia e pluhurit të Saharës mbi oqean dhe përdorimi i karburanteve të transportit me squfur të ulët kanë ndikuar gjithashtu.

“Pra, në përgjithësi, oqeanet po sulmohen nga një goditje e katërfishtë”, tha ai. “Është një paralajmërim për gjërat që na presin”.

Mijëra peshq të ngordhur u shfaqën në plazhet e Teksasit, ndërsa lulëzimi i algave të shkaktuara nga nxehtësia është cilësuar si faktor kryesor i vrasjes së luanëve të detit dhe delfinëve në Kaliforni.

Detet më të ngrohta mund të nënkuptojnë më pak erë dhe shi, duke krijuar një rreth vicioz që çon në edhe më shumë nxehtësi, tha Annalisa Bracco, një klimatologe në Institutin e Teknologjisë në Gjeorgji./rel

Të ngjashme