Quhet Falah edhe është maskota e Botërorit të Atletikës që do të zhvillohet në muajin shtator të këtij viti në Doha të Katarit.
Drejtuesit e Komitetit Olimpik të katarit nëpërmjet një ceremonie bënë prezantimin e maskotës së këtij evenimenti që është një skifter, një ceremoni ku morën pjesë 490 fëmijë nga shkolla të ndryshme vendase dhe ndërkombëtare të Dohas dhe që u shoqërua edhe me aktivitete të tjera.
Përzgjedhja e maskotës Falah u bë nëpërmjet një procesi të ekzaminimit të 21 skicimeve që u dorëzuan në Komitetin Olimpik Lokal nga banorët e Katarit përpara se të bëhej votimi që kaloi në disa etapa deri në gjetjen e fituesit. Ambasadorë të rinj të moshës 8-16 vjeç u ftuan që të japin verdiktin e tyre për skicën e preferuar të maskotës, ndërkohë që atleti i hedhjes së Cekicit Ashraf Amgad El Seify ua prezantoi dhe ua shpjegoi këto skicime.
Në fund të votimeve ishte pikërisht Falah ai që fitoi dhe ai që e dizenjoi atë ishte Theodore Paul Manuel, i cili përfitoi edhe një shpërblim financiar si fituesi i këtij konkursi.
Doha do të presë gjatë Botërorit të Atletikës, 2000 sportistë nga 213 vende të botës, ndërkohë që do të jenë 10 mijë të ftuar ndërkombëtarë, 30 mijë spektatorë nga jashtë Katarit dhe përfaqësues të mediave të të gjithë botës. Ky Botëror që është evenimenti i tretë më i madh sportiv në botë do të transmetohet në 200 vende dhe do të zhvillohet nga 27 shtatori-6 tetor në Khalifa International Stadium. /TCH