Ka dalë nga shtypi numri i katërt i revistës për kulturë, gjuhë dhe media, “Akademia”, të cilën e boton shtëpia botuese “Armagedoni”.
Sipas programit të saj të botimit, numri i ardhshëm i saj do të botohet në muajin prill të vitit 2019 dhe, sipas kryeredaktorit të saj, Berat Armagedoni, do të jetë po kaq voluminoz sa numri i katërt, po kaq përmbajtjesor dhe me interes për lexuesit si katër numrat e deritashëm.
Në këtë numër të revistës prej gjashtëqind faqesh ka: intervista, hulumtime, ese, letra, reportazhe, deklarata, recensione, studime nga fusha e letërsisë, e gjuhës, e medias, e dramës, e teatrit, e historisë, e fesë, pastaj poezi, prozë dhe një dramë në shtatë pamje nga autori Milazim Krasniqi.
Numri i katërt i revistës “Akademia” u është kushtuar dy personaliteteve, dy burrave të mëdhenj të popullit dhe të kombit shqiptar, Skënderbeut dhe Demaçit, që të dyve me shkas, njërit me rastin e 550-vjetorit të vdekjes, tjetrit me rastin e pesëmujorit të vdekjes.
Këtij numri të revistës i paraprijnë një parapathënie dhe një parathënie, kurse pas tyre vijnë tri intervista realizuar me akademik Mehmet Krajën, profesorin dhe poetin Xhevdet Bajraj dhe me piktorin dhe karikaturistin shqiptar me famë botërore, Agim Sulaj.