Në garazhin e Matt Boumannit nuk ka shumë hapësirë, të cilin ai e quan “shpella e njeriut”. Në tri muret dhe hapësirën brenda garazhit ka vetëm gjëra të sporteve të ujit, siç janë dërrasat e surfimit, kajakët dhe skijat e surfimit.
Për ata që e njohin Boumanin, e dinë mirë se kush është dhe për çfarë arsye e ka të mbushur garazhin me gjëra të tilla. Bouman ka garuar nën flamurin e Afrikës së Jugut në pesë sporte të ndryshme gjatë dy dekadave të fundit, duke koleksionuar medalje të shumta përgjatë kësaj rruge.
Por ai nuk është një person që mburret me këto suksese. Në shtëpinë e tij, e cila gjendet në Umhlanda Rocks, nuk e ka të ekspozuar asnjë trofe apo medalje, shkruan sot Koha Ditore.
Gjithashtu, as në rrjetet sociale nuk shkruan dhe as që mburret për të arriturat e tij. Edhe në fanellat e tij nuk figuron ndonjë sponsor. Mburrja e vetme e Boumanit është se ai njihet si një sportist i madh dhe konkurrent i oqeanit me të cilin përballet gati çdo ditë.
“Nuk më pëlqen të reklamohem me medaljet apo trofetë. Unë ndihem shumë më mirë si një sportist i thjeshtë, i cili e sfidon oqeanin për çdo ditë në mënyra të ndryshme. Mburrja ime e vetme është kur dal në oqean dhe aty e shoh veten si të pamposhtur”, shprehet Bouman.