BQK: 1.42 miliard euro remitanca në vitin 2025, me të dhëna preliminare për muajin dhjetor

Prishtinë | 08 Shk 2026 | 12:08 | Nga Ekonomia Online

Në vitin 2025, remitancat arritën 1.42 miliard euro (me dhjetorin ende preliminar), duke shënuar rritje prej 4.4% ose 60 milionë euro krahasuar me 2024.

“Vlera e përgjithshme e remitancave të pranuara tek ne për vitin 2025 është 1.42 miliard euro. Këtu duhet theksuar që muaji dhjetor si vlerë është ende preliminar deri në publikimin e radhës në fund të muajit shkurt 2026. Krahasuar me vitin 2024 paraqet një rritje prej 4.4% apo për 60 milionë euro më shumë.”-thuhet në përgjigjen BQK-së.

Sipas BQK-së, vlera më e madhe e remitancave gjatë vitit 2025 ka ardhur nga Gjermania me rreth 39.0% e total remitancave, pasuar nga Zvicra me 17.5%, SHBA me 7.2%, Italia me 3.9%, Austria me 4.2%, Belgjika dhe Franca me nga 3.4%.

Banka Qendrore e Kosovës në përgjigjen e saj për KALLXO.com bën të ditur se pjesa më e madhe erdhën nëpërmjet agjencive për tranfere të mjeteve.

“Kanalet kryesore për dërgimin e remitancave në vitin 2025 agjencitë për transfere të mjeteve, bankat dhe kanalet tjera. Këto kanale përfshijnë rreth 55% agjencitë për transfere të mjeteve, 17% bankat dhe 28% kanalet tjera. Kjo përqindje ishte përafërsisht e njëjtë edhe vitin e kaluar.”-përgjigjet BQK.

Mesatarja mujore e remitancave ishte rreth 117.9 milionë euro, me kulme në korrik, gusht dhe dhjetor për shkak të ardhjes më të madhe të mërgimtarëve në Kosovë

“Mesatarja mujore gjatë vitit 2025 ishte rreth 117.9 milionë euro (dhjetori siç e cekem në fillim, ende është preliminar). Prurjet më të mëdha janë në korrik, gusht dhe dhjetor (viteve të fundit më e theksuar), për shkak të ardhjes më të madhe të emigrantëve në Kosovë.”-kanë thënë nga BQK.

Të ngjashme