Ushtruesi i detyrës së Zëvendësguvernatorit për Mbikëqyrje Financiare, Nexhat Kryeziu ka takuar
përfaqësuesit e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës dhe të Shoqatës së Bankave të Kosovës.
Në këtë takim është diskutuar rreth refuzimit të disa bankave komerciale për të hapur llogari për
gazetarët e Afganistanit, të cilët janë strehuar në vendin tonë bazuar në vendimin e Qeverisë së Kosovës
për strehimin e tyre, në kuadër të programit “Journalists in Residence – Kosovo”, që është i iniciuar nga
ECPMF, e që financohet nga Qeveria e Kosovës dhe mbështetet nga Iniciativa Hannah Arendt.
Zëvendësguvernatori Kryeziu ka thënë se kjo praktikë është e padrejtë sidomos në këtë rast kur ka të
bëjë me çështje humanitare, derisa ka thënë se BQK-ja do t’i ndërmarrë menjëherë veprimet për të
zgjidhur këtë problematikë të krijuar.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e AGK-së kanë falënderuar Zëvendësguvernatorin Kryeziu për reagimin e
shpejtë të BQK-së në zgjidhjen e kësaj situate, ndërsa dyja palët, shprehën gatishmërinë që dy
institucionet të rrisin edhe më tutje bashkëpunimin.
Ndërkaq Kryeshefi Ekzekutiv i Shoqatës së Bankave të Kosovës, Petrit Balija, falënderoi BQK-në për
angazhimin e menjëhershëm në zgjidhjen e kësaj çështje, derisa tha se kjo problematikë do të zgjidhet
gjatë javës së ardhshme.