BQK-ja nga nesër pa guvernator – Opozita përplaset me Bordin për procedurat e përzgjedhjes

Prishtinë | 28 Mar 2023 | 15:52 | Nga Gzim Mujaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala ka pasur një përplasje me kryetarin e Bordit të BQK-së, Bashkim Nurbojën. Këtë të fundit, e akuzoi nëse vonesat në emërimin e guvernatorit të ri i ka bërë qëllimshëm që të vijë vet në krye të këtij institucioni, raporton Ekonomia Online.

Të martën, Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, ka shqyrtuar listën e kandidatëve për plotësimin e pozitës së Guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës.

Me këtë rast, deputeti i PDK-së e pyeti Bashkim Nurbojën se kush do të jetë ushtrues detyre i guvernatorit, pasi Fehmi Mehmetit i ka skaduar mandati.

“Kush e ushtron detyrën e guvernatorit? A e ke përgatit ti këtë skenar që të vish vetë? Nga nesër kush e ushtron detyrën e guvernatorit, apo do të jesh ti në vend të guvernatorit? E keni pruar situatën që BQK të mbetët pa guvernator. Pse nuk ka zëvendësguvernator?Qysh me vendos ne sot, dhe kryesuesi i bordit thotë nuk e di. Ky është skandal, kryesuesi i bordit mos të dijë kush është ushtrues i detyrës së guvernatorit. A e pranon nesër detyrën e guvernatorit? I tëre ky proces është skenar që ju të vini në këtë pozitë”, tha ai.

Këtë e mohoi vetë Nurboja. Tha se nuk ka pasur qëllim që të aplikojë për këtë pozitë. 

“Ne e kemi thirrur një mbledhje të jashtëzakonshme. Neni 46 e rregullon vazhdimësinë se si funksion BQK në raste të jashtëzakonshme. Tash i takon vendimit të Bordit se si do të vazhdojë. Unë nuk mund të përgjigjem se nuk më takon si individ. Në momentin që ne marrim vendim në do të publikojmë. Kemi kërkuar opinione për këtë procedurë. Me pas tendencë për me qenë në këtë pozitë, do të kisha aplikuar, mendoj që nuk është korrekte kjo mënyrë”, tha ai.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, pyeti për ligjshmërinë e këtyre kandidatëve. Gjithashtu pyeti nëse u janë drejtuar Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit në lidhje më një kandidat, nëse i njëjti ka konflikt interesi pasi aktualisht është anëtar i Bordit.

“Ne i kemi parë të gjithë materialet që i keni dërguar, çështjet që unë i kam ngrit jeni munduar m’i dhënë disa sqarime për mua nuk janë të mjaftueshme. Nuk keni marrë asnjë deklaratë nga Agjencia Kundër Korrupsionit. A keni kërkuar qe të shihet që Nexhat Kryeziu, është në konflikt interesi pasi ai është në bord të BQK-së”, tha Lushtaku.

Për mendim të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Nurboja tha se nuk kanë kërkuar, pasi u janë referuar ligjeve të BQK-së.

“Nuk ka pasur asnjë shkelje, nuk i jemi drejtuar Agjencisë pasi jemi bazuar në ligjet e BQK, dhe ne si panel jemi bindur që nuk ka konflikt në këtë rast”, tha ai.

E deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, tha se ende nuk është plotësuar nëni i 38 i BQK-së për dergimin e listës së plotë të 14 kandidatëve që kanë aplikuar në këtë konkurs.

“Unë kisha përshtypjen që kishim një dakordim që sipas nenit ju jepni sqarim për secilin kandidat se pse e keni vlerësuar ashtu. Dhe e dyta listën e të gjithë kandidatëve që i kanë plotësuar kushtet formale ligjore. Kjo ka qenë dakordimi në këtë Komision që të ketë një shkresë për secilin kandidat dhe lista e plotë e kandidatëve që kanë aplikuar. Nuk është plotësuar ende neni i 38 i BQK-së për procedurat dhe kjo listë nuk mund t’i dërgohet Kuvendit”.

Tutje, Hoti tha se e brengos mënyra se si po menaxhohet sektori financiar, teksa e cilësoi papërgjegjësi mos zgjedhjen e guvernatorit.

“Unë jam i brengosur se si po menaxhohen institucionet e mëdha. Sot i përfundon mandati guvernatorit, kjo është papërgjegjësi, është dashtë që procedurat të përfundojnë më herët. Mendoj që është një përgjegjësi edhe e mazhorancës, është e bordit por është edhe përgjegjësi e juaja. Krejt sektori financiar nuk ka mbikëqyrje efektive”, tha ai.

Për mosdorëzimin e listës me kandidatë, Nurboja tha se nuk e kanë bërë pasi nuk parashihet me Ligj.

“Ne e kemi sjellur sqarimin për personat e përzgjedhur sipas ligjit. Dhe kemi ardhur me këtë listë. Sa i përkt vonesave ne e kemi dorëzuar me kohë listën. Gjithçka është brenda afatit. Ligji nuk thotë që të dërgohet lista e plotë. Na kanë udhëzuar që të mos behën publike, emrat përzgjedhës janë dërguar, emrat që nuk janë përzgjedhur nuk bënë të publikohen”, tha ai.

Kritika për procedurat e përzgjedhjes së guvernatorit pati edhe deputeti i AAK-së Pal Lekaj.

“Mendoj që e keni sjellë situatën aq keq sa që unë nuk di se si do të veproni. Mendoj që do të vije edhe fundi i vitit dhe guvernatori nuk do të zgjidhet. Hymë në një krizë të thellë të këtij segmenti, unë mendoj që procesi nuk duhet të vijë në pikën zero dhe të zgjidhet guvernatori. Mendoj që ne me vetëdije po e vendosim në pikëpyetje sigurinë e vendit”, tha ai.

Në fund të diskutimeve në këtë komision nuk pat vendimmarrje pasi në votim nuk murr pjesë opozita.

Të ngjashme