BQK njofton se bilanci i pagesave në qershor ka shënuar rënie prej 19 përqind

Prishtinë | 02 Sht 2023 | 13:44 | Nga Ekonomia Online

Banka Qendrore e Kosovës ka njoftuar se bilanci i pagesave deri në fund të qershorit të këtij viti u karakterizua nga një deficit të llogarisë rrjedhëse i cili shënoi një vlerë prej 502.7 milionë euro e që krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit kaluar është më i ulët për 19 për qind.

Në njoftimin e tyrë bëhet e ditur se bilanci tregtar në mallra në kuadër të bilancave të pagesave, deri në qershor të këtij viti, kishte deficit në vlerë prej 2.1 miliardë euro, që është deficit më i madh tregtar krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

Shërbimet deri në qershor 2023 kanë shënuar bilanc pozitiv në vlerë 553.2 milionë euro, që paraqet rritje prej 36 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022. 407.8 milionë euro.

“Kategoria kryesore e shërbimeve janë shërbimet e udhëtimi. Vetëm gjatë muajit qershor në Kosovë shërbimet e udhëtimit kanë arritur vlerën 141.3 milionë euro, vitin e kaluar në këtë periudhë kanë qenë 132.3 (7 % më të ulëta se këtë vit). Rreth 90% e shpenzimeve të udhëtimit në Kosovë, përkatësisht 126.6 milionë euro janë shpenzimet e diasporës. Krahasuar me periudhën e njëjtë vitin e kaluar, diaspora këtë vit ka shpenzuar rreth 15% më shumë”.

“Kurse shpenzimet e udhëtimit të kosovarëve jashtë, gjatë muajin qershor kanë arritur vlerën 58.9 milion euro që paraqet rritje prej 18% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022, prej të cilave rreth 46% janë shpenzimet në Shqipëri”, thuhet në njoftimin e BQK-së.

Tutje, bëhet e ditur se të ardhurat parësore deri në qershor 2023 shënuan bilanc pozitiv prej 45.9 milionë euro, i cili krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit kaluar, është më i ulët për rreth 48 përqind.

“Llogaria e të ardhurave dytësore në të cilën përfshihen Transferet rrjedhëse te sektorit qeveritarë dhe Transferet rrjedhëse të sektorëve tjerë (dërgesat e emigrantëve (remitancat) dhe transferet ku përfshihen donacionet, pensionet, etj.) mbetet kontribuesi kryesor në zbutjen e deficitit të llogarisë rrjedhëse. Deri në qershor 2023 kjo llogari shënoi rritje për 12% krahasuar me periudhën e njëjtë të 2022, dhe arriti vlerën 949.1 milion euro (849.6 milionë euro ishte bilanci pozitiv deri në qershor 2022)”, thuhet tutje në njoftim.

Të ngjashme