BQK shënon Javën e Parasë me moton “Mëso, kurse, fito”

Prishtinë | 27 Mar 2017 | 11:37 | Nga Jehona Zhuniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Banka Qendrore e Kosovës (BQK), në bashkëpunim me Muzeun e Kosovës dhe Shoqatën e Bankave, kanë hapur Javën Ndërkombëtare të Parasë.

Qëllimi i këtij organizimi është të nxisë ndërgjegjësim më të gjerë dhe të kuptuarit mbi nevojën për arsimim më të mirë financiar dhe përmirësimin e edukimit financiar.

Nxënës të shkollës fillore “Elena Gjika” kanë dëgjuar nga drejtues të BQK-së e të Shoqatës në Bankave ligjërata të shkurtra mbi historinë e parasë dhe vlerat e saj nëpër kohë. Ata kanë bërë punime të monedhave me argjilë; si dhe kanë vizituar ekspozitën e numizmatikës dhe fotografi të parave që nga kohët e hershme.

Lulzim Ismajli, zëvendësguvernator i BQK-së, tha se motoja e kësaj jave është “Mëso, Kurse, Fito”.

“Objektiv parësor i BQK-së është ruajtja e stabilitetit financiar. Për të kontribuar në këtë drejtim ndërmerr shumë veprime ligjore, për të siguruar që paratë e qytetarëve të jenë të sigurta”, ka thënë Ismajli.

“Në anën tjetër, edhe qytetarët duhet të jenë të informuar dhe të përgatitur që të marrin vendime të drejta dhe të shëndosha financiare”, ka shtuar ai.

Sipas tij, edukimi financiar duhet të fillojë që në fëmijëri. Ismajli i ka porositur nxënësit se duhet të kursejnë paranë me kujdes që pastaj kur të vijë koha të mund t’i shpenzoni për gjërat e duhura.

“Nga vijnë paratë? Paratë fitohet nga puna, pra është shpërblim për punën që prindërit tuaj e bëjnë çdo ditë… Paratë duhet të shpenzohen vetëm për gjërat e domosdoshme”.

Petrit Balija, drejtues i Shoqatës së Bankave të Kosovës, tregoi se Java e Parasë shënohet në mëse 135 vende të botës.

“Edukimi financiar është aftësia për të ruajtur paratë. Në masë të madhe iu mbetet prindërve të merren me edukimin financiar të fëmijëve”, ka thënë Balija.

Sipas tij, edukimi financiar është shtyllë kryesore për fuqizimin e shtresës së mesme në Kosovë.

Edhe Balija ka porositur që paratë duhet të përdoren në mënyrë të mençur për të arritur qëllimet jetësore.

Kurse drejtori i Muzeut të Kosovës, Skënder Boshtrakaj, ka treguar se gjatë këtyre ditëve, fëmijët do të kenë mundësi që përmes lojës së tyre “të krijojnë” para.

Boshtrakaj, më pas, ka folur rreth historisë së krijimit të parasë, duke filluar nga zbulimi i metaleve.

Tuana Hoxha, nxënëse e shkollës fillore “Elena Gjika”, e cila ishte pjesëmarrëse në këtë aktivitet, tha prej se ka qenë në moshë të vogël prindërit e kanë mësuar se si t’i kursejë paratë.

“Tani jemi duke punuar disa monedha me argjilë. Unë edhe kur kam qenë fëmijë i kam kursyer të gjithnjë paratë. Paratë më kanë mësuar t’i kursej prindërit sepse më kanë thënë me ato para kur të rritesh mund të blesh ndonjë gjë ose me ato para mund të shkollohesh”, ka thënë Tuana, për Ekonomia Online.

  

Të ngjashme