BQK shënon Javën Ndërkombëtare të Parasë 2025 me temën “Mendo para se të klikosh, për një siguri financiare nesër”

Prishtinë | 17 Mar 2025 | 20:10 | Nga Ekonomia Online

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) në kuadër të organizimit të aktiviteteve përmes Edukimit Financiar po shënon Javën Ndërkombëtare të Parasë 2025, që ka për synim të kontribuojë në përmirësimin e njohurive për çështjet ekonomike e ato financiare, për të gjithë qytetarët, veçanërisht për fëmijët dhe të rinjtë.

Në kuadër të këtij organizimi, BQK-ja ka ndarë shpërblime për nxënësit e shkollave të arsimit fillor dhe të mesëm – 5 për videot dhe 20 për punimet artistike më të mira – të cilat kishin për temë fushën e Edukimit Financiar, bazuar në ftesën publike të hapur në muajin shkurt 2025, në të cilën kanë aplikuar gjithsej 119 nxënës nga shkolla të ndryshme të vendit.

Guvernatori i BQK-së z. Ahmet Ismaili, me rastin e ndarjes së këtyre çmimeve i përgëzoi nxënësit për punën e bërë në videot dhe punimet e tyre artistike, duke i inkurajuar ata që të vazhdojnë me angazhimin për rëndësinë e edukimit financiar. Gjithashtu, ka falënderuar prindërit dhe mësimdhënësit për mbështetjen dhe përkushtimin e tyre.

“Ju përgëzoj për punën e bërë në videot dhe punimet e juaja që janë vlerësuar nga Komisionet e brendshme të BQK-së. BQK ju inkurajon që të vazhdoni tutje duke treguar për rëndësinë e edukimit financiar”, tha Guvernatori Ismaili para nxënësve fitues.

Po ashtu, Guvernatori Ismaili theksoi se BQK-ja ka për qëllim edhe mbrojtjen e konsumatorëve, duke vendosur një fokus të veçantë tek të rinjtë, në funksion të zbatimit të Planit Strategjik të BQK-së. BQK është e angazhuar që të ofrojë mundësi dhe platforma që rrisin transparencën, mbështesin vendimmarrjen e informuar dhe rrisin sigurinë e tyre.

“BQK-ja do ta ketë në fokus Edukimin Financiar, qasjen në financa dhe promovimin e gjithëpërfshirjes financiare, në bashkëpunim me institucionet relevante, duke vendosur një fokus të veçantë tek të rinjtë. Bota po ndryshon shpejt e ne duhet të jemi në hap me ndryshimet e avancuara të teknologjisë informative dhe transformimit digjital, pra duhet të përgatitemi që të përballemi me to në mënyrë të suksesshme”, theksoi Guvernatori Ismaili.

BQK ka rol kyç në sigurimin e stabilitetit financiar dhe rritjen e besueshmërisë në sistemin financiar të Republikës së Kosovës. Andaj, e gjithë kjo na bën që të konsiderojmë që në këtë ambient me zhvillime e inovacione teknologjike financiare, njohuritë më të fundit financiare janë të rëndësishme për çdo qytetar për një të ardhme sa më të sigurt.

Java Ndërkombëtare e Parasë është iniciativë globale, e udhëhequr nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD), bashkon 176 vende të botës për të rritur ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e Edukimit Financiar. Këtë ngjarje sivjet BQK e organizon me moton “Mendo para se të klikosh, për një siguri financiare nesër”, dhe do të shënohet me aktivitete nga data 17 deri më 21 mars 2025.

Të ngjashme