Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, priti sot në takim Ambasadorin e OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu.
Gjatë këtij takimi, ambasadori tha se masat e ndërmarra me qëllim të parandalimit të sëmundjes COVID-19 kanë ndikuar që të kemi një situatë më të mirë në Kosovë.
Ai shtoi se në këto rrethana asgjë nuk është më e rëndësishme sesa shëndeti publik, veçanërisht kur janë sfiduar edhe sistemet më të zhvilluara të shëndetësisë në botë.
Ndërkaq, Vitia ushpreh se masat janë një prej arsyeve që sot shtrirja e epidemisë është më e sheshtë si dhe theksoi rëndësinë e unitetit për t’u ballafaquar me këtë situatë. Ai po ashtu e njoftoi Braathu për së afërmi edhe me mekanizmat e parapara për menaxhimin e situatës pandemike.
Ministri Vitia, gjithashtu e njoftoi ambasadorin Braathu se gjatë kësaj kohe janë siguruar ndihma nga OBSH, UNICEF, Bashkimi Evropian, SHBA-ja, AQH – SDC (Swiss Development and Cooperation Agency).
Në këtë takim u diskutua për humanitetin që duhet ta tregojnë të gjithë për të bashkëvepruar për të ndaluar shtrirjen e mëtutjeshme të COVID-19. Gjithashtu, u diskutua për domosdoshmërinë e bashkëpunimit me komunat ku jetojnë edhe komunitetet e tjera.
Vitia e siguroi ambasadorin se Ministria e Shëndetësisë nuk do të bëjë asnjë dallim me asnjë nga komunat dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë, duke theksuar se në situatën në të cilën gjendemi është shumë i rëndësishëm koordinimi dhe bashkëpunimi, që me sa më pak pasoja të tejkalohet kjo situiatë e vështirë ngaqë, siç u shpreh, virusi nuk njeh as nacionalitet e as kufi