Grupi i Deputetëve të Pavarur ka arritur marrëveshje me Partinë Social Demokrate për bashkimin e tyre në këtë subjekt politik.
Gjatë ditës së mërkurë, do të mbahet Kuvendi i jashtëzakonshëm i kësaj partie ku edhe pritet që kjo marrëveshje të finalizohet, duke përfshirë zgjedhjen e Kryesisë së re, Këshillit Drejtues dhe kryetarit të ri, shkruan lajmi.net.
Mirëpo kryetarja aktuale e kësaj partie, Kaqusha Jashari, tha për lajmi.net se nuk dihet ende se kush do të jetë kryetar i ri i Partisë Social Demokrate, pasi që sipas marrëveshjes është obligim i Grupit të Deputetëve të Pavarur që të hedhin në tavolinë propozimet e tyre.
“Një prej marrëveshjeve është që kryetari të jetë prej GDP-së, por propozimin nuk e dijmë ende sepse ata vet e kanë atë obligim. Në Kuvendin e së mërkurës do të jemi ata delegatë që kanë qenë në kuvendin e kaluar, ata e kanë statusin edhe për Kuvendin e Jashtëzakonshëm, aty ne do të zgjedhim organet e reja , Kryesinë, Këshillin Drejtues dhe kryetarin”, tha Jashari për lajmi.net.
Ajo bëri të ditur që GDP-ja do ta ketë shumicën në Këshillin Drejtues dhe në Kryesi, mirëpo pjesë e këtyre organeve do të jenë edhe nga Partia Social Demokrate.
“Ata e kanë shumicën edhe në Kryesi edhe në Këshill Drejtues, mirëpo edhe ne jemi pjesë e këtyre organeve, domethënë partia vazhdon me emrin PSD, kjo është njëra prej marrëveshjeve që ata vazhdojnë punën si Partia Social Demokrate”, përfundoi Jashari për lajmi.net.
Ndryshe, ende nuk dihet se kush do të jetë kryetar i kësaj partie, ndërkaq emra të përfolur janë ai i Visar Ymerit dhe Shpend Ahmetit.