Brazili goditet nga vërshimet e rrëshqitjet vdekjeprurëse të dheut

Prishtinë | 12 Jan 2022 | 13:27 | Nga Ekonomia Online

Zyrtarët brazilianë kanë thënë se të paktën dhjetë persona kanë vdekur nga rrëshqitja e dheut dhe vërshimet e shkaktuara nga reshjet e dendura në juglindje të Brazilit.

Viktimat vdiqën të dielën dhe të hënën në rajonin Minas Gerais, ku lumenjtë kanë dalë nga shtrati dhe kanë shkaktuar vërshime. Më shumë se 17.000 njerëz janë detyruar që të largohen nga shtëpitë e tyre, shkruan BBC, përcjell Gazeta Express.

Pesë persona të së njëjtës familje, përfshirë dy fëmijë, u gjetën të mbuluar nga dheu në një kodër afër kryeqytetit rajonal, Belo Horizonte. Në qytetin Sao Gonçalo do Rio Abaixo, një vajzë 11-vjeçare vdiq, pasi muri i dhomës ku ishte duke fjetur u shemb.

Dy vdekje të tjera u raportuan në qytetin Caratinga, përfshirë një burrë 41-vjeçar, i cili vdiq kur vetura e tij ra në lumë përderisa ai po mundohej të kalonte nëpër një urë.

Në qytezën Juatuba, lumi “Paraopeba”doli nga shtrati, duke vërshuar disa lagje. “Humbëm gjithçka. Gruaja dhe fëmijët e mi u larguan nga shtëpia me një barkë”, i tha agjencisë AFP Daniel Valeriano de Oliveira.

Autoriteti i mbrojtjes civile ka thënë se 145 nga 853 komunat e vendit e kanë shpallur gjendjen emergjente për shkak të motit të lig. Meteorologët thonë se reshjet e dendura janë rezultat i një fenomeni veror në Amerikën Jugore, të njohur si SACZ. Për 72 orë, në Belo Horizonte ranë mbi 240 milimetra shi.

Të ngjashme