Pas shumë vitesh pa ujë e pa jetë, bifurkacioni i Ferizajt sërish po frymon. Ai përsëri është ringjallur. Pas shumë vitesh dëgjohen sërish gurgullimat dhe ecejaket e këndshme të ujit. Pas një kohe të gjatë qytetit të Ferizajt i është kthyer prapë freskia e jeta me funksionalizimin e bifurkacionit.
Brazili i pari, Kosova e dyta dhe e fundit. Janë dy shtetet e vetme në botë që kanë bifurkacionin si fenomen tejet të rrallë natyror. Nuk ka të tjera. Lumi i Nerodimes në dalje të Ferizajt, i cili paraqet bifurkacionin e vetëm në Kosovë ndahet në dy pjesë me ç’rast njëra shkon e derdhet në detin Egje e tjera në Detin e Zi. Për t’u mos u bashkuar më kurrë. Asnjëherë.
Pikërisht ky bifurkacion bën që qytetin e Ferizajt ta vizitojnë njerëz nga mbarë Kosova e trojet e tjera shqiptare. Nga mbarë Ballkani, Evropa e bota. Verë e dimër, pa ndalë! Me një fenomen të tillë në një territor aq të vogël siç është Kosova, më së shumti mbeten të mahnitur vizitorët e huaj. Madje, ka prej tyre që vizitat te bifurkacioni i lumit Nerodime tashmë i kanë bërë rutinë. Vit për vit. Pa ia huqur asnjëherë.
“Prej Norvegjisë ka qenë një vizitor me profesion gjeograf, rregullisht ka ardhur me familje. Është interesuar për bifurkacionin. Të huajt e vlerësojnë shumë”, rrëfen Shaban Kashtanjeva nga restorant “Bifurkacioni”.
Madje, vizitorët e jashtëm e vlerësojnë aq fort bifurkacionin e këtij qyteti, saqë janë të bindur që ai vlen shumë herë më shumë se i tërë qyteti i Ferizajt. (Zëri)