Brazili shënon rreth 20 mijë raste të reja të Coronavirusit dhe 627 të vdekur

Prishtinë | 16 Qer 2020 | 08:17 | Nga Ekonomia Online

Numri i përgjithshëm i viktimave të koronavirusit në Brazil ka shkuar në gati 44,000 të hënën, sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë. Ky shtet po vazhdon t’i lehtësojë masat e izolimit, pavarësisht se ndodhet në pozitën e dytë në botë për shifrën e të vdekurve.

Të hënën u regjistruan 627 të vdekur dhe rreth 20,000 raste të reja të infektimeve. Numri i përgjithshëm i infektimeve shkoi në 888,271. Shifra e viktimave ishte më e ulët se mesatarja prej një mijë personave gjatë javës së kaluar, por raportimi i rasteve zakonisht pakësohet gjatë fundjavës.

Ekspertët shëndetësorë thonë se ndikimi i vërtetë i pandemisë mund të jetë shumë më i madh se shifra zyrtare e viktimave për shkak të mungesës së testimit masiv të popullsisë, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.

Pavarësisht gjendjes së rëndë, shumë rajone dhe qytete braziliane kanë filluar t’i lehtësojnë masat kufizuese në javët e fundit pas kërkesave të vazhdueshme ndaj presidentit Jair Bolsonaro për riaktivizimin e ekonomisë.

Bolsonaro disa herë është përpjekur ta nënvlerësojnë ndikimin e koronavirusit dhe ka dalë kundër masave të izolimit me arsyetimin se ato po e dëmtojnë rëndë ekonominë.

Mike Ryan, ekspert i lartë për emergjenca i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, tha se Amerika Latine mbetet arsye për shqetësim.

Të ngjashme