Brazili ka tërhequr kandidaturën për të organizuar Botërorin 2023 në futboll të femrave. Konfederata e Futbollit të Brazilit (CBF) ka njoftuar se Qeveria nuk e ka parë si mençur të ofrojë garanci financiare duke marrë parasysh krizën e pandemisë COVID-19.
“Shkaku krizës ekonomike të shkaktuar nga pandemia COVID-19, Qeveria ka vlerësuar se nuk mund të nënshkruajë tash garancinë e kërkuar nga FIFA”, është thënë në komunikatë të CBF-së.
Brazili ka organizuar një numër të ngjarjeve të mëdha sportive në vitet e fundit, përfshirë Botërorin 2014 në futboll të meshkujve, Lojërat Olimpike në Rio de Janeiro në vitin 2016 dhe Copa American në vitin 2019.
Brazili do të përkrah tash Kolumbinë në kandidaturën për Botërorin 2023 të futbollit të femrave.
Për organizimin e kësaj ngjarje po kandidojnë Kolumbia, Japonia dhe kandidatura e përbashkët Australi – Zelandë e Re.