Bregu: Ballkani Perëndimor duhet të fillojë me mbledhjen e njohurive

Prishtinë | 26 Maj 2020 | 16:35 | Nga Ekonomia Online

Sondazhi i vjetor “Barometri i Ballkanit 2020”, ende i pabotuar nga Këshilli për Bashkëpunim Rajonal (RCC), tregon se siç pritej, interneti përdoret gjerësisht për qëllime komunikimi me përhapje të shpejtë në mediet sociale me 69 për qind.

Kurse, më pak e popullarizuar për edukim me 30 për qind dhe për blerje online me 22 për qind.

“Shërbimet e qeverisë përmes platformave elektronike u përdorën nga vetëm 3 për qind e popullsisë. Të dhënat tregojnë gjithashtu se më pak se 17 për qind e popullsisë në rajon nuk përdor internet, kryesisht ata të moshës mbi 65+”, tha Majlinda Bregu, sekretarja e përgjithshme e RCC-së në Forumin për Zhvillimin Rajonal për Evropën që u mbajt online.

Kalimi i detyruar tek zgjidhjet dixhitale për shkak të pandemisë paraqet një ndryshim thelbësor në proceset qeveritare dhe të biznesit, duke lejuar përdorimin më të madh dhe të parashikuar të teknologjive dixhitale për të krijuar mundësi të reja, zgjidhje inovative dhe një sërë rregullash të reja dhe kërkesash të tregut.

Është llogaritur që rritja me 10 për qind e indeksit të dixhitalizimit shoqërohet me 0.63 për qind të rritjes së Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB)

“Me gjithë performancën e përgjithshme të transformimit dixhital të Ballkanit Perëndimor, gjatë vitit të fundit, hendeku me mesataren e Bashkimit Evropian është sërish i lartë. Sipas OECD, 50 për qind e familjeve të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë një kompjuter në shtëpi, ndër këta 1/3-ta nuk kanë internet. Ekonomitë e Ballkanit Perëndimor duhet të ndryshojnë trajektoren e tyre të zhvillimit nga akumulimi i kapitalit fizik në atë të akumulimit të njohurive. Aftësitë dixhitale janë thelbësore për t’iu përgjigjur automatizimit të proceseve të biznesit, kështu që, le të ecim së bashku milje ekstra për të mirën e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor”, konkludoi Bregu.

Tashmë rajoni ka filluar përgatitjet për kontekstin post-pandemi përmes përgatitjes së axhendës së transformimit dixhital 2021-2024, që ka për synim krijimin e bazave për hapësirën e vetme dixhitale rajonale dhe përshtatjen e Ballkanit Perëndimor në epokën dixhitale. 

Të ngjashme