Në kohën kur politika është në gjendje kritike, është shumë i nevojshëm dialogu parlamentar midis Ballkanit Perëndimor dhe BE-së për të ardhmen e rajonit. Prandaj, unë do të propozoja nisjen e një dialogu të institucionalizuar. Në këtë drejtim, Këshilli Rajonal për Bashkëpunim (RCC) është i gatshëm për të lehtësuar një dialog të tillë.
Kështu tha sekretarja e përgjithshme e RCC-së, Majlinda Bregu në çeljen e Konferencës së Komisioneve Parlamentare për Integrimin Evropian të vendeve pjesëmarrëse në Procesin e Stabilizim-Asociimit të Evropës Jug-Lindore (COSAP) që u mbajt në Tiranë.
“RCC-ja është e gatshme të kontribuojë në këtë dinamikë të re përmes mbështetjes së dialogut dhe bashkëpunimit parlamentar, i cili mbetet një fener i qëndrueshëm në luftën e vazhdueshme për demokraci. Trajtimi i çështjeve politike, ekonomike, sociale, mjedisore, kulturore dhe të sigurisë në rajonin tonë nuk është përgjegjësi vetëm e Qeverive. Mbështetja parlamentare për reformat e ndërmarra është thelbësore për të siguruar që nevojat dhe zëri i qytetarëve të dëgjohen, gjë që gjithashtu qëndron në thelb të Procesit të Berlinit. Viti 2020 është një moment jetik për përcaktimin e rolit që parlamentet duhet të luajnë në të. COSAP është forumi më i mirë për të nisur këtë proces dhe për të përcaktuar modalitetet dhe përmbajtjen e këtij dialogu”, transmeton Klan Kosova.
Në vitin 2015, si presidente e kësaj konference gjatë Kryesisë së Shqipërisë në COSAP, Bregu i ka propozuar këtij forumi krijimin e një dimensioni parlamentar në Procesin e Berlinit.