Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi gjatë mbledhjes së Qeverisë ka njoftuar se në kuadër të Zyrës së veteranëve pranë Zyrës së kryeministrit, ka nevojë të angazhohen dy persona të cilët do të lëshonin vërtetime për aplikimin e veteranëve për pensione.
Ai para kabinetit qeveritarë tha se kjo çështje do të shqyrtohet në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë. Kurse i pari i qeverisë Isa Mustafa, tha se do të përgatitet një propozim që për dy apo tre muaj të mbyllet ky proces.
“Një çështje si parapërgatitje për mbledhjen e ardhme të Qeverisë ka të bëjë me funksionimin e Zyrës së veteranëve pranë Zyrës së kryeministrit, angazhimin e dy personave për punë specifike, përmes së cilës këta persona do të bënin lëshimin e vërtetimeve për aplikimin e veteranëve për pensione. Këta persona, këto kontrata të veçanta janë ndërprerë, prandaj një numër i veteranëve kanë mbetur pa marrë vërtetime”, tha ai.
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotshme ka miratuar propozim-vendimin me të cilin lejohet regjistrimi i qytetarëve të Kosovës, të cilët figurojnë në regjistrat e gjendjes civile, por që ende nuk kanë marrë dokumente.
Ministrja për Dialog, Edita Tahiri tha se me këtë lejohet pajisja me dokumentet e shtetësisë të qytetarët që ende nuk i kanë marrë dokumentet e identifikimit.
Ndërsa ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani lajmëroi se Bordit të QKUK-së, më 29 janar i ka skaduar mandati dhe për këtë Qeveria është e informuar.
“Kemi diskutuar ose ta vazhdojmë mandatin ose ta emërojmë bordin e ri dhe shumë shpejt do të vijmë me propozim”, tha ai.