Problemi kryesor i kryeministrit Kurti, jo vetëm sot, por në vazhdimësi ka qenë ngarkesa e tij ideologjike. Veprimi vetem në bazë të tyre. E jo në përputhje me realitetin. Sepse ky i fundit për të nuk ekziston. Rëndësi kanë për të vetem dogmat e tij, e jo jeta konkrete dhe fatet reale njerëzore të qytetarëve të Kosovës. Këta të fundit nuk janë asgjë tjetër pos material në funksion të qëllimeve të tij ideologjike.
Ndërkohë, siç e ka deshmuar gjatë karrierës së tij politikë ai nuk ka pasur telashe t’i konvertojë ato në përputhje me interesat koniuunkturale politike. Falë kësaj “aftësise” për të mbetur i “njëjti”, por vetëm duke e ndryshuar strategjinë, ai tashmë është bërë përfaqësues i verbër besimit ideologjik ultra-neoliberal.
Asgjë nuk e deshmon më mirë këtë mjerim të tij, se sa qendrimi që po shpërfaq për shtrenjtimin e çmimit të rrymës, infacionit dhe krizës ekonomike. Për të nuk kanë asnjë rëndësi këto veprime që janë duke e varfëruar deri në ekstrem xhepin e qytetarit mesatar kosovar. Por me një indiferencë cinike nga pallatet e tij të pushtetit ai përkujdeset vetëm për pavarësinë e trupave ekonomike. Duke harruar faktin se kjo “pavarësi” e tyre është shprehje e një ideologjie të cilen ai dikur e satanizonte si shkaktaretë shkatërrimit të strukturave sociale dhe dobësimit të shtetit “përballë” perëndisë së re te tregut.
Prandaj, sot kryeminstri deklaron se nuk mund të bëjë asgjë përballë ZRRE-se, sepse ky institucion na qenka një trup që nuk mundet të ndikohet nga qeveria, edhe kur vendimet e tij në këtë krizë të përgjithshëm i varfërojne familjet kosovare. Më lehtë pranohet ndonjë katastrofë natyrore ,se sa të korrigjohen padrejtësite sociale dhe ekonomike që po i krijojnë këto vendime.
Kështu për Kurtin tashmë nuk ekziston shteti dhe shoqëria. Ato janë vetem mundësi për pushtet personal. Individët janë vete përgjegjës për fatin e tyre.
Po të ishte gjallë sot gjeneral Augusto Pinochet-i do të ndjehej krenar se si retorika e tij ekonomike, natyrisht me një dallim sepse i pari ka ardhur me grushtet në pushtet, e kryeministri me zgjedhje, ka gjetur zbatim në qeverinë e Kosovës. Vulose kryeminister transformim që e ke filluar.
Shndërroje hapur në guidë ideologjike dhe në model të doktrinës ekonomike, ish-presidentin e Kilit, sepse tashmë je duke i ndjekur mësimet e tij ekonomike. Çlirohu nga disonancat aktuale. Shfaqu ashtu si je. Dhe mos i përdor teoritë mbi shtetin social dhe barazinë shoqërore si paravan për t’i mbuluar veprimet dhe qendrimet ultra-neoliberale.