Mario Balotellit dhe Brescia tashmë janë në luftë të hapur, pasi lojtari nuk kishte pranuar të bashkohej me ekipin më herët, ndërsa tani nuk është lejuar të futet as në qendrën stërvitore.
Balotelli u paraqit në qendrën sportive “Torbole Casaglia” mëngjesin e së martës rreth orës 8:40 të mëngjesit, 20 minuta para nisjes së stërvitjes.
Pas një diskutimi të shkurtër në telefon me një anëtar të klubit, atij iu ndalua hyrja brenda.
Sulmuesi, para se të kthehej në makinë për të shkuar në shtëpi, iu drejtua reporterëve që ishin të pranishëm duke komentuar: “Tani thoni që nuk dua të stërvitem!”.
Problemet mes Balotellit dhe klubit që drejtohet nga Massimo Cellino janë në kulm, pas mosmarrëveshjeve të ditëve të fundit.
Drejtuesit e Brescias duan ta ndërpresin kontratën njëanshëm, ndërsa lojtari pretendon që ka qenë i lënduar.
Ai në mbrëmje, rreth orës 21:30, e ka dërguar një vërtetim nga mjeku i tij, sipas të cilit ai ishte shëruar dhe mund të stërviste.
Për shkak se vërtetimi ka shkuar në klub pas orarit të punës, komunikimi mes palëve ka qenë i pamundur.
Tani mbetet të shihet se çfarë do të ndodh në ditët në vijim, ku çështja mund të zgjidhet nga paneli i arbitrazhit.