Breshka 400 kg në bregdetin shqiptar pas 56 viteve

Prishtinë | 10 Gus 2016 | 18:09 | Nga

Breshka më e madhe nga pesha e kapur deri tani në brigjet tona, është shfaqur në veri të grykëderdhjes së Lumit Ishëm, në drejtim të lagunës së Patokut. Ajo është kapur nga peshkatarët e kësaj zone. Breshka gjigante ka rënë në rrjetat e peshkatarëve, ndërsa është sjellë ne bregdet për t’u matrikulluar nga biologu Idriz Haxhia, i cili thotë  se kjo gjallesë është e rrallë në bregdetin tonë sa i përket përmasave dhe peshës rreth 400 kg.

“Kjo lloj breshke gjendet vetëm nëpër oqeane, nuk hyn asnjëherë nëpër dete. Reptili më i madh i ditëve tona shkon deri në 1200 kg, ndërsa kjo breshkë peshon rreth 400 kg”, tregon Haxhia.

Breshka e llojit “dermochelys coriacea”  ose breshka kurriz-lëkurore, është individi i dytë nga përmasat që kapet në vendin tonë, pas 56 viteve, pasi në vitin 1960 një tjetër breshkë është kapur në bregdetin tonë dhe ndodhet e balsamosur në Institutin e Shkencave në Tiranë. Kjo breshkë mendohet, sipas biologut Idriz Haxhia, se mund te ketë prejardhjen nga Oqeani Atlantik dhe ka hyrë në Mesdhe nëpërmjet Ngushticës së  Gjibraltarit.

“Breshka ka vlera shumë të mëdha për faunën shqiptare, për lagunën e Patokut dhe biodiversitetin e tij. Tregon se kjo zonë është e veçantë, shumë e pasur dhe e rëndësishme për biodiversitetin në Shqipëri.

Haxhia tregon se në 50 vite punë kërkimore, breshka të tilla nuk ka parë asnjëherë, përveçse të balsamosura nëpër muze natyrore.

“Ishte një shans i madh për kërkimet tona intensive gjatë këtyre 20 viteve këtu në Patok. Falënderoj peshkatarët e Martinaj që sakrifikuan veten e tyre, duke qenë se ka një peshë shumë të rëndë, duhen 5-6 veta për ta mbajtur”.

Kjo mysafire e rrallë e brigjeve tona,  pasi është markuar dhe i janë marrë mostrat e nevojshme, me ndihmën e peshkatarëve është hedhur sërish në det.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme