Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Bekim Brestovci, ka thënë për Ekonomia Online se punëtorët e Kompanisë “Pastrimi”, qëllimshëm janë manipuluar me pretekstin se do të mbesin papunë nëse Komuna nënshkruan marrëveshje me operatorët tjerë ekonomik.
Duke folur për protestën e organizuar nga këta punëtorë para ndërmarrjes “Pastrimi”, Brestovci ka thënë se me të drejtë janë brengosuar për vendet e tyre të punës.
Brestovci ka treguar se asnjëri prej punëtorëve nuk do të mbesë pa punë dhe se këtë siguri u është ofruar edhe në takimin që e kanë mbajtur me ta.
“Po të them të drejtën tash nga këndvështrimi im, të dy protestat e para që kanë qenë para Kuvendit Komunal, kanë qenë të padrejta por të arsyeshme nga perspektiva e punëtorëve sepse ata kanë pas pak brengosje për vendet e punës së tyre sepse ne siç e dini tanimë kemi shpallur një tender për aktivizimin e pesë kompanive për vitin e ardhshëm për grumbullimin e mbeturinave, plus kompania ‘Pastrimi’ që gjithsej do të jenë gjashtë, kështu që punëtorët e ndërmarrjes ‘Pastrimi’ kanë pasur shqetësimet e tyre që mos po ngelin pa punë dhe në momentin kur ne atyre u kemi dhënë sigurinë maksimale që asnjëri prej tyre nuk do të atakohet dhe vendet e punës nuk do të humbin, sepse Prishtina ka mjaftë punë për këta punëtorë”, ka thënë Brestovci.
Duke folur për problemin me mbeturina në Kryeqytet, Brestovci ka thënë se janë të detyruar që të gjejnë zgjidhje tjetër. Andaj, angazhimin e kompanive tjera për mbledhjen e mbeturinave, e kanë parë si të domosdoshme.
Kritika ka edhe për menaxhmentin e Ndërmarrjes “Pastrimi”, të cilën Kryeqyteti e paguan 420 mijë euro.
“Unë mendoj që dikush me shumë qëllim, natyrisht u ka krijuar një panik dhe një frikë të panevojshme punëtorëve dhe natyrisht që pas kaq shumë vitesh punë që i kanë pasur në Ndërmarrjen ‘Pastrimi’, natyrisht që janë brengosur për vendet e tyre të punës, sepse pjesa më e madhe e tyre natyrisht janë edhe mbajtës të familjes por ne i kemi siguruar që asnjëri prej tyre nuk do të mbetet pa punë. Tash siç duket e kanë kuptuar përfundimisht që Ndërmarrja ‘Pastrimi’ na kanë vu në një situatë të tillë që ne domosdoshmërish të kemi nevojë për operatorë ekonomikë tjerë privat si pasojë e një keqmenaxhimi, si pamundësi për të ofruar shërbimin e kontraktuar, sepse ne Ndërmarrjen ‘Pastrimi’ e paguajmë 420 mijë euro në muaj për shërbimin të cilën duhet t’ia ofrojë qytetarëve, vetëm për mbetjet e amvisërisë, shto kësaj që në mënyrë të drejtpërdrejtë inkason nga bizneset por i ka edhe disa kontrata të cilat quhen kontrata të veçanta, atëherë flasim për një shumë goxah të madhe që merret në Komunën e Prishtinës për grumbullimin dhe bartjen e mbeturinave”, u shpreh Brestovci, teksa ka treguar edhe impaktin që e ka pasur angazhimi i një kompanie private.
“Kur e kemi inkuadruar një operator ekonomik privat, ka qenë një gjendje tepër e rënduar, ka pasur edhe rrezik të lartë për përhapje të epidemive, sado pak e kemi zbutur këtë vit, mirëpo për vitin e ardhshëm jemi të bindur që duhet të bëjmë çfarëdo qoftë që ka nevojë për ta bërë, për ta pasur Kryeqytetin përfundimisht qytet të pastër”, u shpreh ai.