Mbrëmja më e madhe muzikore e ndarjes së çmimeve në Mbretërinë e Bashkuar, Brit Awards, në kushte normale do të zhvillohej këtë muaj.
Mirëpo për shkak të pandemisë, ndarja e çmimeve Brits është shtyrë për të martën e 11 majit, në vend të datës së zakonshme në shkurt dhe do të transmetohen drejtpërdrejt në ITV.
“Ne e kemi marrë këtë vendim pasi jemi konsultuar me industrinë e muzikës dhe partnerët e shfaqjes Mastercard, ITV dhe AEG. Së bashku me shumë konsiderata sigurie dhe logjistike të organizimit të një ceremonie të madhe çmimesh në shkurt për ata që organizojnë ngjarjen si dhe të ftuarit, ne besojmë se kjo lëvizje do t’u japë një mundësi më të drejtë të gjithë artistëve, si dhe sigurimin e një përzierje të madhe mes super yjeve vendas dhe atyre globalë që marrin pjesë çdo vit dhe interpretojnë në shfaqje”, kanë thënë organizatorët.
Duke folur për vendimin për të lëvizur datën Geoff Taylor, shefi ekzekutiv, BPI & BRIT Awards Ltd tha:
“Ne duam të sigurohemi që Brits jep nivelet e jashtëzakonshme të prodhimit, performancat e super yjeve dhe ekzaltimin e drejtpërdrejtë që e bëjnë atë natën më të madhe në muzikë. Ne besojmë se mënyra më e mirë për ta arritur këtë në vitin 2021 është të zhvendosim shfaqjen disa muaj më vonë, për në maj dhe ne tashmë jemi në punë duke planifikuar një ngjarje spektakolare që do të na kujtojë se sa e rëndësishme ka qenë muzika për t’i kaluar të gjithë në këto kohë të vështira . Unë do të doja të falënderoja partnerët tanë: ITV, AEG dhe Mastercard dhe të gjithë partnerët tjerë për mbështetjen e tyre fantastike”, ka thënë ai.
BRITS përndryshe njihet si ngjarja më e madhe britanike e ndarjes së çmimeve, e cila ndër vite ka sjell performanca edhe nga shqiptaret e famshme: Dua Lipa dhe Rita Ora.