Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe ka premtuar se do t’i shtojë edhe 100 milionë funte për krizën në Siri, ndonëse më parë ishte planfikuar shpenzimi i 300 milionë funteve gjatë këtij viti.
Sipas qeverisë, këto mjete financiare do të shpenzohen për njerëzit që kanë më së shumti nevojë në Siri dhe në shtetet rreth saj, ku një pjesë e madhe e sirianëve janë vendosur prej fillimit të luftës.
Më shumë se 360 mijë njerëz kanë humbur jetën në luftën civile të Sirisë, e cila filloi në vitin 2011.
Këto fonde do të përdoren për sigurim të qasjes në ujë të pastër, ushqim, veshmbathje, strehim dhe kujdes shëndetësor për rastet urgjente.
Britania e Madhe ka ndarë më shumë se 2 miliardë e 800 milionë funte për krizën në Siri nga viti 2012. Këtu përfshihen më shumë se 10 milionë vaksina dhe 140 milionë kontrolle mjekësore.
Përpos numrit të madh të të vdekurve, kjo luftë i ka lënë 1.5 milionë njerëz me aftësi të kufizuara. Rreth 86 mijë persona i kanë humbur gjymtyrët në luftë.
Premtimi për ndarjen e këtyre fondeve do të bëhet zyrtarisht gjatë një konference për Sirinë, e cila do të mbahet javën e ardhshme në Bruksel, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.