Britania e Madhe pritet ta rrit shkëmbin tregtar me ShBA-në pas Brexitit

Prishtinë | 04 Mar 2019 | 11:12 | Nga Ekonomia Online

Ministri britanik i Tregtisë, Liam Fox, ka deklaruar se është e pamundur që Bashkimi Evropian t’i ofrojë Britanisë së Madhe një shtyrje të gjatë të BREXIT-it, për shkak të zgjedhjeve të ardhshme evropiane.

Fox tha se është ende “krejtësisht e mundshme” që Britania e Madhe të largohet nga BE-ja sipas planit më 29 mars, por mund të jetë e nevojshme një zgjatje e periudhës negociuese për nenin 50, për të pasur një dalje të qetë nga BE-ja.

Kryeministrja britanike Theresa May, ka deklaruar se çdo zgjatje s’mund ta kalojë fundin e qershorit.

SHBA-ja ka paraqitur objektivat e saj për një marrëveshje tregtare pas BREXIT-it me Britaninë e Madhe, duke kërkuar të eliminojë tërësisht ose të pakësojë pengesat për produktet bujqësore amerikane dhe të rregullojë ndryshimet ligjore.

“Shumica e tregtisë sonë, siç e thashë, tani SHBA-ja është partnerja jonë më e madhe tregtare, bëhet sipas rregullave të OBT-së. A ka gjëra që mund të përmirësojmë? Po, ka disa gjëra në tregtinë e mallrave dhe ka shumë në tregtinë e shërbimeve. A do të pranojmë ne gjëra që besojmë se janë kundër interesave të konsumatorëve apo prodhuesve tanë? Jo, këto janë negociata”, tha ministri Fox.

Kundërshtarët e BREXIT-it, thonë se një marrëveshje e tillë me SHBA-në do të hapte tregjet e Britanisë së Madhe ndaj produkteve të tilla si pulat e trajtuara me klor dhe drithërat e modifikuara gjenetikisht. 


Fjalë Kryesore:

Të ngjashme