Mbretëria e Bashkuar raportoi 183.037 raste me Covid-19 të mërkurën, që është shifra më e lartë që nga fillimi i pandemisë dhe mbi 53.000 më shumë se rekordi i regjistruar një ditë më parë.
Rritja e numrit të rasteve, e nxitur nga varianti shumë ngjitës, Omicron, vjen në të njëjtën kohë me rritjen e shifrës së pacientëve në spitale, të cilët kanë dalë pozitivë në testin për koronavirus.
Pavarësisht rritjes së numrit të rasteve, Kryeministri Boris Johnson ka thënë se nuk do të sjellë masa të reja kufizuese këtë vit në Angli për ta kufizuar përhapjen e variantit Omicron, që tani përbën 90 për qind të të gjitha infeksioneve në komunitet, sipas zyrtarëve shëndetësorë.
Sipas shefit të qeverisë britanike, numri i madh i banorëve që kanë marrë vaksinë përforcuese – më shumë se 33 milionë njerëz ose rreth 58 për qind e popullsisë mbi moshën 12-vjeçare – nënkupton që nuk ka nevojë për rregulla të reja para festimeve të Vitit të Ri, shkruan Reuters, përcjell Gazeta Express.
Shifrat zyrtare tregojnë se në spitale të Anglisë janë 10.462 pacientë me Covid-19 të mërkurën, 916 më shumë se në ditën paraprake.
Johnson tha se disa mjekë i kanë thënë që deri 90 për qind e pacientëve me Covid-19 në repartin e kujdesit intensiv nuk kanë marrë dozë përforcuese të vaksinës.