Britania e Madhe ka tejkaluar Italinë për nga numri i të vdekurve si pasojë e koronavirusit, duke rritur kështu presionin mbi kryeministrin Boris Johnson, edhe vetë i prekur më herët, shkroi Reuters të martën.
Zyra e Statistikave Kombëtare të Britanisë (ONS), të martën njoftoi për më shumë se 7.000 vdekje në javën e fundit në Angli dhe Uells, duke e rritur totalin në 32.313.
Kështu Britania është bërë vendi më i goditur në Evropë sa u përket vdekjeve si pasojë e COVID-19 dhe vendi i dytë në botë pas SHBA-së, që ka shënuar rreth 70 mijë vdekje deri më tash.
Italia, pa raportin ditor të 24-orëshit të fundit, ka 29.079 të vdekur.
“Britania e Madhe është goditur shumë në këtë valë të COVID-19 dhe çdo vdekje do të sjellë trishtim për familjet”, tha profesori James Naismith nga Universiteti i Oxfordit, i cili është drejtor i Institutit të Kërkimeve Mjekësore në Rosalind Franklin.
Ministria e Shëndetësisë e Britanisë tha se të dhënat e ONS-së duhet të trajtohen me kujdes.
Në gjithë botën janë regjistruar mbi 3.6 milionë raste me infeksion dhe mbi 250 mijë të vdekur.