Qëndrim i Britanisë, si kryesuese e radhës e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, është që ky mekanizëm të përqendrohet në çështjet më aktuale që kërcënojnë paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, tha për agjencinë FoNet ambasada britanike në Beograd, duke sqaruar se kjo nuk do të thotë se Kosova nuk ka rëndësi.
Britania e Madhe, e cila mban presidencën e Këshillit të Sigurimit gjatë muajit gusht, nuk e ka futur Kosovën në agjendën e këtij organi të OKB-së.
“Kosova është çështje shumë e rëndësishme rajonale evropiane, porse intensiteti i problemit nuk është i njëjtë sikur para 15 vjetësh apo më shumë, andaj nuk ka nevojë për takime të shpeshta, ashtu si Birmania apo Jemeni”, tha ambasada britanike në Beograd, transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.
Që nga paslufta në Kosovë, Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka diskutuar rregullisht raportet e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së mbi situatën në Kosovë dhe punën e misionit të OKB-së atje, UNMIK.
Seanca e fundit e tillë është mbajtur më 14 maj.
Derisa Kosova konsideron se këto takime nuk janë më të nevojshme, Serbia thotë se Kombet e Bashkuara do të duhet të diskutojnë për situatën në Kosovë, siç kanë bërë deri më tash.