Autoritetet në Britani miratuan për përdorim vaksinën kundër koronavirusit të kompanisë amerikane, Johnson & Johnson.
Vaksina Johnson&Johnson, që jepet përmes një doze të vetme, ka përmbushur “të gjitha standardet e kërkuara të sigurisë, të kualitetit dhe efikasitetit”, tha Rregullatori për Barna dhe Shëndetësi në Britani.
Me miratimin e vaksinës Johnson & Johnson, në Britani tashmë do të jenë në përdorim katër vaksina, pasi më herët ky shtet ka autorizuar vaksinën e Pfizer/BioNTech, atë të AstraZenecas dhe të kompanisë Moderna.
Rregullatori britanik tha se vaksina e zhvilluar nga Johnson & Johnson ka treguar 67 për qind efektivitet për të parandaluar infeksionin me COVID-19 dhe 85 për qind për të parandaluar sëmundjen e rëndë ose hospitalizimin. Kjo vaksinë mund të ruhet në frigoriferë në temperatura prej 2 deri në 8 gradë Celsius, që sipas rregullatorit britanik, e bën këtë vaksinë “ideale për shpërndarje në shtëpitë e kujdesit dhe në lokacione tjera”.
Megjithatë, autoritetet britanike ende nuk kanë bërë të ditur se cilës grupmoshë do t’i administrohet kjo vaksinë. Ka pasur spekulime se kjo vaksinë mund t’iu jepet vetëm të rriturve, pas raportimeve se mund të shkaktojë mpiksje të rralla të gjakut.
Vitin e kaluar, Qeveria britanike, pavarësisht se nuk kishte miratuar për përdorim, kishte porositur 20 milionë doza të ksaj vaksine. Pothuajse 58 për qind e popullatës në Mbretërinë e Bashkuar kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës dhe rreth 35 për qind e popullatës janë vaksinuar plotësisht.
Mbretëria e Bashkuar ka thënë se do të vaksinojë të gjithë popullatën e rritur deri në fund të muajit korrik.